Shaqir Fetai ikonë e hipokrizisë

Në vend që të sfidojë politikat diskriminuese ndaj besimtarëve shqiptarë, siç bën Xhufka ndaj Kishës Serbe, Shaqir Fetai sfidon vetveten në nënshtrim dhe heshtje, duke i shërbyer pa ndjenjë, pa shpirt, dhe pa karakter një makinerie që as e do fenë, as kombin

Nga Ali Dardani

Në Tatesh të Strugës u përurua me pompozitet xhamia e re, nën patronazhin e Myftinisë së Strugës dhe në prani të një sërë personalitetesh fetare e politike. Në deklaratat publike të BFI-së dhe vetë Myftinisë së Strugës, u përmendën me emër e mbiemër të gjithë të pranishmit, të gjithë përveç njërit, njërit që në fakt duhej të ishte i pari për t’u përmendur: Peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Kosovë, z. Nikolla Xhufka.
Po pse kjo heshtje? Pse kjo shmangie e qëllimshme? Pse ky injorim institucional ndaj një figure që përfaqëson jo vetëm një realitet fetar, por një kauzë kombëtare të pakompromis, që sfidon Kishën Serbe, atë Ruse, Greke dhe Maqedonase? Apo ndoshta kjo është arsyeja? Sepse ai është i pakompromis ndaj kishes serbe që ngelë bastion i UDB-së, sepse ai nuk përkulet, sepse ai është shqiptar i pandalshëm në identitetin, misionin dhe fjalën e tij, pavarësisht nëse e konteston dikush prej jo-shqiptarëve?
Ndërsa vetë Nikolla Xhufka e publikoi hapur fotografinë me Shaqir Fetain, edhe pse në fotografi Fetai del në një pozicion që më shumë i ngjan një “poze eksituese”, BFI-ja, Myftinia e Strugës dhe vetë Shaqir Fetai nuk guxuan as ta përmendin, as ta publikojnë një fotografi, as ta nderojnë për praninë. Çfarë frike është kjo? Apo më mirë të pyesim: frikë nga kush? Turp ndaj kujt? Apo është bindje e ulët ndaj urdhrave që vijnë nga lart, ndoshta nga politika shoviniste serbo-ruse që i ka përlyer duart edhe në institucionet fetare shqiptare?
Është më se e qartë: Shaqir Fetai ka frikë nga drita që reflekton figura e Nikolla Xhufkës, sepse ajo dritë e djeg maskën e hipokrizisë së tij. Në vend që të mburret për pjesëmarrjen e një personaliteti të këtij kalibri kombëtar, ai zgjedh ta injorojë, të heshtë, ta fshijë praninë e tij, sikur me këtë veprim do të mbulojë turpin që e ndjek këmba-këmbës në çdo akt të tijin, ndonëse Xhufka në Tatesh ka ardhur i ftuar zyrtarisht nga dikush! Turpërohet Shaqir Fetai sepse, thellë në ndërdijen e vet ai e ka të qartë se nuk e përfaqëson interesin fetar e kombëtar, se është një kukull e urdhrave të errëta, që bëjnë çmos të zbehin çdo rrezatim të shqiptarizmës së vërtetë brenda institucioneve tona fetare.
Në vend që të sfidojë politikat diskriminuese ndaj besimtarëve shqiptarë, siç bën Xhufka ndaj Kishës Serbe, Shaqir Fetai sfidon vetveten në nënshtrim dhe heshtje, duke i shërbyer pa ndjenjë, pa shpirt, dhe pa karakter një makinerie që as e do fenë, as kombin. Në vend që të jetë burrë dhe të publikojë fotografinë me një mik të tillë nderi si Nikolla Xhufka, të paktën për respektin ndaj komunitetit ortodoks shqiptar dhe për bashkëjetesën ndërfetare, ai zgjedh frikën. Turpin. Servilizmin.


Ironikisht, ai që duhej të kishte drojë për një fotografi të tillë ishte Xhufka, sepse ndodhet përkrah një hoxhe të dyshimtë, të dokumentuar si udbash me nofken ORAO, të akuzuar për mungesë integriteti, dhe që ka humbur çdo kredibilitet në mesin e vet. Por jo! Xhufka nuk i nënshtrohet politikave shoviniste, nuk i druhet asnjë ndikimi që cënon të vërtetën dhe dinjitetin. Ai nuk i përçmon hoxhallarët, madje as ata që janë në rrugë të gabuar, përkundrazi, ai i respekton për hir të komunitetit dhe harmonisë. Çfarë bën Shaqir Fetai? Poshtëron një mik, një të ftuar, një vëlla në fe dhe komb, vetëm për të mos zemëruar shefat e padukshëm.
Kjo nuk është thjesht hipokrizi. Kjo është tradhti morale, institucionale dhe kombëtare.
Prandaj, nëse Shaqir Fetai ka edhe një fije dinjitet të mbetur, le ta tregojë tani. Le ta publikojë fotografinë me Peshkopin Xhufka, le ta nderojë atë takim dhe atë simbolikë. Jo për t’i bërë nder vetes, sepse nderi nuk i takon më atij, por për t’i bërë nder një figure të vërtetë kombëtare, dhe për të treguar se në këtë vend ende ka mbetur një grimcë respekti për ata që sakrifikojnë për këtë popull. Nëse nuk e bën, historia do të dëshmojë për Shaqir Fetain si për një nga përfaqësuesit më të denjë të servilizmit dhe zhvatjes së besimit në emër të fesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *