Rasti i BFI-së: deformimi i kujtesës dhe çmontimi i institucionit

Në shtete që ndërtohen mbi frikën nga “tjetri”, historia e tij bëhet shënjestër dhe institucionet e tij bëhen pengesë. Bashkësia Fetare Islame ishte shpina morale e shqiptarëve, prandaj duhej thyer. Kur shkatërrohet kujtesa, shkatërrohet edhe identiteti. Dhe kur kapen institucionet, nënshkruhet dorëzimi i një populli

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Ka shtete që ndërtohen mbi ligj, mbi barazi dhe mbi respektin e ndërsjellë. Por ka edhe shtete të tjera, si ai i Maqedonisë së Veriut, ku shoqëria maqedonase që përgjatë dekadave ka kërkuar me ngulm të krijojë një identitet të vetëm, unitar, të ashtuquajtur “shtet-komb”, ku tjetri, “armiku i brendshëm”, duhet ose të nënshtrohet, ose të zhduket si faktor.Në këtë projekt, shqiptarët e vendit nuk janë parë si partnerë, por si problem. Si një realitet i panevojshëm që duhet dobësuar, fragmentuar dhe neutralizuar. Dhe instrumenti më i goditur në këtë betejë është Institucioni më i vjetër i tyre në vend e më gjërë, me traditë shekullore: Bashkësia Fetare Islame (BFI).Sepse kush kontrollon kujtesën, kontrollon edhe identitetin.Kush shkatërron institucionet, shkatërron boshtin moral të një komuniteti.Kush instalon kaos në institucione, krijon mundësinë të sundojë mbi popuj të lodhur.

1. Koha e BFI-së së fuqishme si shtyllë kombëtare

Askush nuk e ka harruar periudhën kur BFI konsiderohej “shtet në shtet”. Por kjo nuk ishte ndonjë shprehje folklorike. Ishte përshkrimi më i saktë i fuqisë, autoritetit dhe pavarësisë që kishte arritur institucioni nën drejtimin e ish-reisul ulemase H. Sulejman Rexhepit.
Ai e ngriti BFI-në nga nënshtrimi periferik në një qendër të respektuar kombëtare dhe ndërkombëtare. Medresja ishte vatër kulture. Xhamitë nuk ishin vetëm vende adhurimi, por qendra komunitare. Institucioni nuk ishte pasiv, nuk ishte dytësor, ishte zë, aksion, vizion.
Mjafton të përmendet vetëm një pjesë e angazhimit të asaj kohe:

– Organizimi i takimit historik të Fehmi Aganit me presidentin turk Turgut Ozal, në BFI, ku u hodhën bazat e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare.

– Ndikimi tek komisioneri botëror për të drejtat e njeriut të OKB-së, Tadeusz Mazowiecki, i cili, pas qëndrimit në BFI do të bëhet një nga zërat më kritikë për shkeljet ndaj shqiptarëve.

– Përkrahja vendimtare në themelimin e Universitetit të Tetovës, në kohën kur çdo hap i shqiptarëve shihej si kërcënim.

– Organizimi i tubimeve të intelektualëve shqiptarë për të shkruar historinë e ndaluar të shqiptarëve të Maqedonisë.

– Përfshirja e krijuesve të rinj shqiptarë anekënd botës në një qendër të dijes si Medreseja.

– Roli logjistik dhe humanitar për UÇK-në e Kosovës: strehimi i refugjatëve, ndihma për të plagosurit, koordinimi me mërgatën, një kontribut i cili, deshëm ne apo jo, është i regjistruar me shkronja të arta në faqet e hisgtorisë me të re kombëtare.


Kjo ishte periudha kur BFI nuk ishte thjesht institucion fetar; ishte arkitekt i qëndresës. Ishte shtyllë morale e një populli në presion. Ishte shpina e drejtë e shqiptarëve myslimanë në një shtet që dëshironte t’i bënte kurrizthyer.
Dhe pikërisht për këtë arsye, shteti nisi misionin e tij: të shkatërrojë atë që nuk mund ta kontrollojë.

2. Përse duhej degraduar BFI?

Për një shtet që ndërton identitetin mbi narrativën e rrezikut nga “tjetri”, ekzistenca e një institucioni shqiptar të fuqishëm, autonom dhe me ndikim ndërkombëtar është kërcënim strategjik.
Prandaj u ndoqën tre hapa klasikë të çmontimit:

Hapi 1: Njollosja e së kaluarës
Kur nuk mund ta përmbysësh një institucion nga jashtë, e sulmon historinë e tij. BFI u shpall:
konservatore,
problematike,
e korruptuar,
jopatriotike,
e lidhur me “agjenda të huaja”.
Dhe kështu, çdo meritë u hodh në dyshim. Çdo sukses u devalvua. Çdo kontribut u minimizua.
Ishte fushatë e heshtur, por e pandalshme, fushatë e cila kulmoi me eliminimin e gjymtyrëve (personave kyç) të BFI-së!

Hapi 2: Përçarja
U lejua regjistrimi i plotë i “bashkësive islame alternative”. U hapën rrugë që çdo individ me pak para, pak ndikim dhe shumë ambicie të hapte një xhami private. U stimulua varësia e xhematit nga individë, jo nga institucioni.
Duke e zbritur hierarkinë nga institucioni kombëtar në mini-institucione lagjesh, shteti fitoi atë që kërkonte: atomizim.
Institucion i përçarë = institucion i dobët.
Institucion i dobët = objekt kontrolli.

Hapi 3: Kapja nga brenda
Aty ku nuk mjaftojnë ndarjet, instalohen njerëz të besueshëm politikisht. Ndaj duhej eliminuar çdo figurë që mund të udhëhiqte me pavarësi, që gëzonte respekt, që kishte autoritet moral, dhe duhej të instaloheshin njerëz të shërbimeve.
Kështu, në krye të BFI-së u vendosën individë të gatshëm që, për hirë të kolltukut të pamerituar, të negocionin çdo gjë, përveç interesit të komunitetit.

3. BFI sot: Institucion i vjedhur, i shitur, i degdisur në margjinë

Rezultati i kësaj strategjie është tragjedia e sotme. Nën drejtimin aktual të Shaqir Fetait, BFI është shndërruar në karikaturë të vetvetes. Në një institucion të kapur, të paralizuar, të komprometuar.
Ajo që dikur ishte qendër kombëtare sot është:
e izoluar,
e margjinalizuar,
e zhveshur nga respekti,
objekt talljeje,
fushë e lirë për ideologji të rrezikshme,
bahçe e babës, ku të instaluarit e shtetit vjelin frutat.
Nuk është vetëm rënie institucionale. Është rënie morale. Është rënie e pashpresë. Dikur BFI përmendej për ndihmën që i jepte UÇK-së. Sot përmendet për rrënim, tradhëti e skandale korrupsioni.
Dikur ishte institucion që i hapte dyert e botës diplomatike shqiptarëve. Sot është institucion që i mbyll dyert e vetvetes, por që ua hap portat “ideologjive politike” që paketohen si “parime fetare”!
Dikur ishte simbol i denjësisë. Sot është simbol i nënshtrimit.
Kjo rënie nuk është vetëm dështim i individëve, është shembull i qartë se si shteti mund të thyejë shpirtin e një komuniteti nëse arrin t’ia kapë institucionet kyçe.

4. Pse kjo rënie është plagë kombëtare?

Sepse BFI nuk është thjesht institucion fetar. Është:
trashëgimi historike,
pjesë e identitetit shqiptar,
qendër e kujtesës kolektive,
strukturë që i ka mbijetuar dekadave të represionit,
institucion i cili dikur përfaqësonte fisnikërinë morale të shqiptarëve myslimanë.
Kur bie një institucion i tillë, bie një shtyllë e tërësisë kombëtare.
Kur fshihen arritjet e së kaluarës, fshihet identiteti.
Kur futet përçarja brenda, humbet shpresa.
Kur instalohet korrupsioni në tempull, ndotet besimi.
Prandaj kjo nuk është vetëm tragjedi institucionale, por tragjedi kombëtare.

5. Thirrja e një kujtese që rrezikon të shuhet

Është detyrë e çdo njeriu që i dhemb ky komunitet, kjo histori, ky identitet, të mos e pranojë këtë realitet si të pandryshueshëm. BFI ka kaluar stuhira të shumta gjatë shekujve. Ka mbijetuar perandori, shtypje, ndalesa, ndryshime sistemesh. Dhe mund të ringrihet. Por vetëm nëse rikthehet memoria. Nëse rikthehet dinjiteti. Nëse rikthehet drejtësia. Drejtësi nuk mund të ketë në një sistem të korruptuar.
Sot BFI-ja është plagë e hapur. Por plagët mbyllen kur thuhet e vërteta.
Dhe e vërteta është kjo: Institucioni më i vjetër dhe më i rëndësishëm i shqiptarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut është shkatërruar me qëllim. Jo nga armiqtë e jashtëm. Por nga një strategji e menduar dhe nga dorëzimi i brendshëm.
Dhe kjo është një tradhti që historia nuk do ta falë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *