Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e fundit të orës 23:00 ka lexuar rezultatet e deritanishme të numërimit të fletëvotimeve nëpër komuna të ndryshme.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ueb-faqja e KQZ-së, Radoniqi ka njoftuar për secilën komunë për përqindjet aktuale të kandidatëve për kryetar komune.
“Platforma elektronike për rezultate, është duke vazhduar të funksionojë pa ndonjë problem dhe vetëm gjatë ditës së sotme, më shumë se 3.5 milionë vizitorë unikë janë shërbyer me informacione që janë përditësuar rregullisht”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka potencuar mirënjohjen për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuara që ka mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në zhvillimin e një softueri të ri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet.
“KQZ ka bashkëpunuar me BAE Systems Digital Intelligence, një organizatë ndërkombëtare me seli në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka partneritet me Arcus Security, një kompani vendore e sigurisë në fushën e IT-së, për të ofruar softuerin e kërkuar dhe zgjidhjet përkatëse të sigurisë në teknologjinë e informacionit. Ky projekt mbështetet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Zhvillimi i softuerit dhe përmirësimi i sigurisë kibernetike në infrastrukturën zgjedhore nga kompania britanike nuk ka ndonjë kosto specifike për KQZ-në”, ka thënë ai.