Protestat antiqeveritare në Serbi, të udhëhequra nga studentët, janë përshkallëzuar mbrëmjen e së enjtes me incidente në disa qytete, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Nishin dhe Kralevën.
Sipas raportimeve të mediave serbe, në Beograd janë hedhur mjete piroteknike pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa forcat e xhandarmërisë kanë ndërhyrë për të ndarë protestuesit nga përkrahësit e pushtetit.
Një grup burrash me shkopinj është parë në afërsi të protestuesve, të cilët, sipas opozitës së Frontit të Gjelbër–Majtë, janë mbështetës të qeverisë. Në Novi Sad, protestues të maskuar kanë dëmtuar zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke thyer mobilie dhe nxjerrë materiale jashtë zyrës.
Tensione janë shënuar edhe në qytetin e Nishit, ku protestuesit kanë hedhur vezë ndaj policisë, si dhe në Kralevë dhe Leskoc, ku policia ka bllokuar rrugët që çojnë drejt zyrave të SNS-it për të shmangur përshkallëzimin e situatës, raportojnë mediat serbe.
Protestat në Serbi po zgjasin prej më shumë se tetë muajsh. Ato janë iniciuar nga studentët që kërkojnë drejtësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehë betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit, kanë akuzuar opozitën për nxitje të dhunës dhe trazirave.