Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s po takohen sot në Bruksel për të diskutuar mbi përforcimin e mbrojtjes ajrore të aleancës, pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore dhe incidenteve me dronë që i atribuohen Rusisë. Takimi vjen në një periudhë kur po shtohen shqetësimet se Moska po e teston vendosmërinë e aleancës dhe po vepron në një “zonë gri” mes luftës dhe paqes.
Në agjendën e ministrave pritet të dominojë edhe çështja e mbështetjes për Ukrainën, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e furnizimit të Kievit me raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do t’i bashkohet 31 homologëve të tij të NATO-s në këtë takim, në kohën kur presidenti Donald Trump po vlerëson hapat e ardhshëm në raport me Kievin.
Britania rrit mbështetjen për Ukrainën
Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë, John Healey, deklaroi të mërkurën se avionët britanikë do të vazhdojnë fluturimet mbi Poloni deri në fund të këtij viti, pasi Mbretëria e Bashkuar ka zgjatur angazhimin e saj në misionin “Eastern Sentry” të NATO-s.
Para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ai tha gjithashtu: “Ne po rrisim gjithashtu prodhimin e dronëve për Ukrainën.”
Takimi në Bruksel zhvillohet pas disa shkeljeve të profilit të lartë të hapësirës ajrore në Poloni dhe Estoni, që kanë rritur frikën për përhapjen e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës. Incidentet janë pasuar nga një valë dronësh të paidentifikuar që kanë ndërhyrë në hapësirat ajrore të disa vendeve evropiane, përfshirë zona pranë bazave ushtarake dhe aeroporteve.
Një zyrtar perëndimor, duke folur për France 24, ka theksuar se “në shumë mënyra, ne tashmë ndodhemi në një konflikt të zgjatur dhe të intensifikuar me Rusinë”.
Përballë kësaj situate, ministrat e NATO-s pritet të diskutojnë mënyrat për të përforcuar mbrojtjen në krahun lindor të aleancës, sidomos pas nevojës për të përdorur raketa të kushtueshme për të rrëzuar dronë rusë në Poloni.
“Ne po bëjmë atë për të cilën jemi trajnuar dhe po funksionon, por duhet të bëjmë më shumë,” ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, citon në një analizë France24 dhe AFP.
NATO me mision të ri për mbrojtjen ajrore
NATO ka nisur tashmë një mision të ri për mbrojtjen ajrore dhe ka shtuar praninë e forcave në kufijtë lindorë, por disa vende të rajonit kërkojnë një reagim më të fortë dhe më të koordinuar. Diplomatë të aleancës kanë bërë të ditur se po shqyrtohet përmirësimi i rregullave të angazhimit dhe harmonizimi i qëndrimeve të ndryshme mes vendeve anëtare ndaj ndërhyrjeve ruse.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimeve do të jetë zhvillimi i kapaciteteve kundër dronëve, përfshirë përdorimin e teknologjive më të përballueshme, të ngjashme me ato që po përdor Ukraina në mbrojtjen e saj.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian do të mbledhë sonte ministrat e tij të mbrojtjes për të shqyrtuar propozimin për krijimin e një “muri dronësh”, i cili do të shërbejë për të përballuar kërcënimet e reja ajrore. Megjithatë, disa shtete, përfshirë Gjermaninë, kanë shprehur skepticizëm se kjo nismë mund të mbivendoset me kompetencat e NATO-s.
Iniciativa e BE-së është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për forcimin e mbrojtjes evropiane dhe përgatitjen e bllokut për një konflikt të mundshëm me Rusinë në vitet e ardhshme. Një plan veprimi për këtë nismë pritet t’u prezantohet ministrave dhe të diskutohet për miratim në samitin e udhëheqësve evropianë javën e ardhshme.
Deri në vitin 2035, vendim që 3.5 për qind e PBB-së të destinohet për mbrojtje
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Hegseth, pritet të kërkojë nga aleatët e NATO-s që të zbatojnë zotimin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Në samitin e qershorit në Hagë, vendet anëtare kishin rënë dakord të arrijnë nivelin e 3.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035.
Në anën tjetër, Uashingtoni po përpiqet të forcojë koordinimin me Kievin. Presidenti Trump është shprehur i zhgënjyer me mungesën e progresit në përpjekjet për paqe nga ana e Vladimir Putinit, dhe tani po shtyn për më shumë mbështetje ndaj Ukrainës.
Hegseth pritet t’u kërkojë aleatëve evropianë të kontribuojnë financiarisht në një iniciativë të re që parasheh që Evropa të financojë blerjen e armëve amerikane për Kievin. Deri tani janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej rreth dy miliardë eurosh, ndërsa Uashingtoni dhe Kievi kërkojnë që vende si Britania, Franca, Spanja dhe Italia të rrisin kontributet e tyre.
“Ky program është jetik dhe aleatët duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të ulet në tryezën e negociatave,” ka theksuar ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker.
Presidenti Trump pritet të vendosë së shpejti nëse do t’i lejojë Ukrainës përdorimin e raketave Tomahawk me rreze të gjatë veprimi. Ai do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të premten.
Kremlini e ka paralajmëruar Uashingtonin kundër këtij vendimi, por sipas burimeve amerikane, Trump mund të lejojë që Ukraina të godasë objektiva brenda territorit rus, në mënyrë që të rrisë presionin ndaj Putinit për të arritur një marrëveshje paqeje.
“Mundësia për sulme të thella mund të ndryshojë llogaritjet e Putinit dhe të vërë në rrezik infrastrukturën jetike energjetike dhe ushtarake brenda Rusisë,” ka deklaruar Whitaker. (Burimi: France 24 / AFP)