Derisa Kuvendi ka tentuar dhe ka dështuar 36 herë që ta konstituojë legjislaturën e nëntë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka thënë se opozita është duke ia zgjatur mandatin qeverisë së tij. Madje, sipas tij, “dikush mund të mendojë se ekziston një marrëveshje.
Kurti ka thënë se kjo po ndodh me vonesat në konstituim të Kuvendit, tash e pesë muaj prej zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai e cilësoi të pakuptueshme mosvotimin e opozitës për komisionin për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
“Ju gjithmonë e dini që kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje. Pra, ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më shumë në pushtet. Por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës. Ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, kemi më pak kompetenca, por kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re”, tha Kurti.
Sipas tij, në ndërkohë që nuk ka qeveri të re të Kosovës, ka qeveri në detyrë. “Ky është realiteti që nuk kam çfarë t’i shtoj”, tha Kurti, pas vendosjes së gurthemelit për marrjen e aneksit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe fillimin e rinovimit në këto depo.
Ndryseh dje për herë të 36-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Nga deputetët që ishin në sallë, 53 votuan për, një votë kundër e asnjë abstenim.