Izraeli, bisedime me Hamas!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi sot se do të dërgojë një delegacion në Doha për të zhvilluar bisedime indirekte me Hamasin, me qëllim arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës. Bisedimet do të zhvillohen me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së.

Hamasi nuk ka publikuar detaje të ofertës së tij, por ka deklaruar se ka dhënë një përgjigje “me frymë pozitive” ndaj propozimit të ndërmjetësuar nga SHBA, Katari dhe Egjipti.

Presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, që ka hyrë në muajin e 21-të. Ai pritet të presë Netanyahun në Uashington ditën e hënë.

Ndërkohë, situata në Rripin e Gazës mbetet dramatike. Sipas burimeve palestineze, që nga mëngjesi i së shtunës, të paktën 70 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite dhe incidenteve të tjera. Agjencia  WAFA raportoi për rreth 50 civilë të vrarë që prisnin për ndihma ushqimore. Autoritetet lokale në Gaza e përshkruajnë situatën si kritike, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet. Nga ana tjetër, brigadat Al Qassam se fundmi kanë intensifikuar goditjet ndaj ushtarëve Izraelit. Mediat izraelite kanë raportuar për të vdekur dhe shumë të plagosur.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *