Ukraina dhe aleatët e saj evropianë akuzuan të mërkurën Presidentin rus Vladimir Putin se po shfaq interes të rremë për përpjekjet për paqe, pasi pesë orë bisedimesh me emisarin e SHBA-së në Kremlin nuk prodhuan ndonjë rezultat.
Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, tha se udhëheqësi rus “duhet të ndalë shfaqjet dhe gjakderdhjen dhe të vijë në tryezë për të mbështetur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.” Ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybiha, i bëri thirrje Putinit të “ndalojë të humbasë kohën e botës.”
Këto deklarata pasqyrojnë tensionet e larta dhe hendekun e madh midis Rusisë nga njëra anë dhe Ukrainës dhe aleatëve evropianë nga ana tjetër, mbi mënyrën se si të përfundojë një luftë që Moska filloi kur pushtoi fqinjën e saj gati katër vjet më parë, shkruan The Associated Press.
Një ditë më parë, Putin akuzoi evropianët se po sabotojnë përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja dhe paralajmëroi se, nëse provokohet, Rusia do të ishte e gatshme për luftë me Evropën.
Qeveritë evropiane dhe SHBA-ja kanë shpenzuar miliarda dollarë që nga pushtimi i vitit 2022 për të mbështetur Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht. Megjithatë, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, SHBA-ja ka zbutur mbështetjen dhe ka shtyrë përpjekjet për të përfunduar luftën.
Këshilltari i Putinit për çështje të jashtme, Yuri Ushakov, tha se bisedimet e së martës në Kremlin midis Putinit dhe emisarëve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ishin “pozitive”, por nuk dha detaje. Witkoff dhe Kushner do të takohen të enjten me negociatorin kryesor ukrainas, Rustem Umerov, në Miami për bisedime të mëtejshme.
Trump tha se Witkoff dhe Kushner dolën nga takimi i tyre të bindur se Putin dëshiron të gjejë një mënyrë për të përfunduar luftën. “Impresioni i tyre ishte shumë i fortë se ai do të donte të bëjë një marrëveshje,” tha Trump.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se “bota ndjen qartë se ekziston mundësia për të përfunduar luftën.” Ai shtoi se përpjekja varet nga “diplomacia konstruktive plus presioni mbi agresorin. Të dyja komponentët punojnë drejt paqes.”
E ardhmja e bisedimeve mbetet e paqartë dhe varet kryesisht nga vendimi i administratës Trump nëse do të rrisë presionin mbi Rusinë ose Ukrainën për të bërë lëshime. Një propozim paqeje i SHBA-së që u bë publik muajin e kaluar u kritikua për t’u dukur i favorshëm për Moskën, pasi i siguronte disa nga kërkesat kryesore të Kremlinit që Ukraina i kishte refuzuar si të papranueshme.
Shumë liderë evropianë shqetësohen se nëse Putin merr atë që dëshiron në Ukrainë, ai do të ketë liri veprimi për të kërcënuar vendet e tyre, të cilat tashmë kanë përjetuar sulme nga dronë dhe avionë luftarakë rusë, si dhe një fushatë sabotimi të gjerë.
Pas bisedimeve, Ushakov tha për gazetarët se “deri tani nuk është gjetur një kompromis” mbi çështjen e katër rajoneve ukrainase që Rusia i zë pjesërisht dhe i pretendon si të veta, pa të cilat Kremlini nuk sheh “asnjë zgjidhje të krizës.”
