Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj Taylor Adam Lee, një ushtar aktiv i vendosur në Fort Bliss të Teksasit, i cili dyshohet se i ka dorëzuar një zyrtari rus një ‘memory card’ me informacione të ndjeshme. Lee, që kishte leje për të pasur qasje në të dhëna shumë sekrete, është akuzuar sipas Ligjit për Spiunazhin.
Prokurorët pretendojnë se ai ka tentuar të shkëmbejë informacionet konfidenciale në këmbim të shtetësisë ruse.
“Ky arrestim është një kujtesë alarmante për kërcënimin serioz me të cilin përballet ushtria jonë amerikane,” deklaroi gjeneral brigade Sean F. Stinchon nga Komanda për Kundërzbulimin Ushtarak.
Amerikani 22-vjeçar u paraqit dje në një gjykatë federale dhe përveç akuzave për spiunazh, ai përballet edhe me akuza sipas Ligjit amerikan për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Prokurorët pretendojnë se Lee është takuar në korrik me një përfaqësues të qeverisë ruse dhe ka tentuar të ndajë informacione të klasifikuara, raporton bbc.
“Amerika nuk është e kënaqur me mua sepse po përpiqem të zbuloj dobësitë e saj. Në këtë moment, do të isha i gatshëm të ofroja ndihmë vullnetare për Federatën Ruse, në çdo mënyrë që mundem,” ka thënë Lee sipas prokurorëve.
Sipas tyre, Lee ka diskutuar për dorëzimin e një pjese të pajisjes që përdoret brenda tankut Abrams. Më 31 korrik, ai thuhet se e ka dorëzuar pajisjen në një magazinë në El Paso, Teksas.
Prokurorët thonë se më pas i ka dërguar një mesazh përfaqësuesit rus “misioni i përfunduar”.