Të paktën një person u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm me armë në Universitetin Lincoln të Pensilvanisë të shtunën në mbrëmje.
Një total prej shtatë personash u qëlluan me armë zjarri jashtë Qendrës Ndërkombëtare Kulturore të shkollës, u thanë autoritetet gazetarëve në një konferencë për shtyp të dielën në mëngjes.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë sonte se një person ka vdekur, gjashtë të tjerë janë goditur nga të shtënat me armë zjarri”, tha Prokurori i Qarkut të Chester, Christopher de Barrena-Sarobe, në konferencë, pa dhënë detaje për gjendjen e të plagosurve.
Një person që mbante armë është ndaluar, tha prokurori i distriktit, duke vënë në dukje se hetuesit ende po mbledhin informacione.
“Nuk kemi shumë përgjigje rreth asaj që ndodhi saktësisht”, tha ai.
Zyra e prokurorit të distriktit tha në një deklaratë se forcat e rendit lokale, shtetërore dhe federale po hetojnë rastin, duke i kërkuar kujtdo që ka dijeni për të shtënat të kontaktojë FBI-në.
Të paktën tre persona me plagë nga të shtënat me armë zjarri u dërguan në Spitalin Christiana në Wilmington, Delaware, dhe një tjetër u dërgua në ChristianaCare në Newark, Delaware, tha më parë për CNN Jay Moore nga Zyra e Sherifit të Qarkut Chester.
