Hamasi e Izraeli shkëmbejnë listat e pengjeve dhe të burgosurve

Në vijim të negociatave që po zhvillohen në Egjipt për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Izraeli dhe Hamasi kanë shkëmbyer një listë me emrat e pengjeve dhe të burgosurve që do të shkëmbehen nëse arrihet marrëveshje.

Lajmin e ka bërë të ditur zyrtari i lartë i Hamasit, Taher al-Nounou:

“Ndërmjetësit po bëjnë përpjekje të mëdha për të hequr çdo pengesë për zbatimin e armëpushimit dhe një frymë optimizmi mbizotëron midis të gjitha palëve.”

Shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve palestinezë është pika kryesore e marrëveshjes amerikane, e cila, nëse do të arrihet, do t’u hapë rrugë çështjeve të tjera.
Bisedimet po zhvillohen mes Izraelit dhe Hamasit në ditën e tretë në Sharm el Sheik në Egjipt, ndërsa këtë të mërkurë grupeve të punës do t’u bashkohen negociatorë të tjerë nga SHBA, Turqia dhe Egjipti.

Një nga pikat më të vështira do të jetë presioni ndaj Hamasit për t’u çarmatosur, një çështje që deri më tani nuk ka qenë i gatshëm ta diskutojë në bisedime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *