Përzënia nga tribuna e tifozëve të grupit “Ballistët”, sipas kryeministrit Mickoski duhet të trajtohet nga Federata, dhe ky institucion është përgjegjës për nominimin e delegatëve për ndeshjen. Pa dhënë detaje lidhur me sjelljen e policisë pas shpalosjes së flamurit, sikurse u denoncua nga “Ballistët”, kryeministri doli edhe me ide të tjera, atë të shmangies së tifozëve mysafirë në ndeshje.
“Mendoj se për këtë çështje duhet që përgjigje të kërkohet nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Ne si politikan nuk mund të komentojmë vendimin e delegatit, i cili është nominuar nga ana e FFM, mirëpo mendoj se ka një recetë mjaft të suksesshme. …. Në Shkup ka një praktikë të mirë që mos të ketë tifoz mysafirë dhe nuk shoh arsye që mos të jetë kështu edhe në vendet e tjera të Maqedonisë. Të mos ketë tifoz mysafirë dhe në këtë mënyrë do të mund tu iket incidenteve të tilla”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sipas grupit të tifozëve “Ballistët”, veprimi është diskriminues në bazë etnike.
“Pas udhëtimit për në Strumicë 200 km, në minutën e ‘30 të ndeshjes Brera vs Shkëndija, vjen urdhri që të lëshojmë tribunat, për shkak se shfaqëm në hekurat e tribunës flamurin kombëtar. Idiotizëm dhe shembull që tregon se shqiptarët konsiderohen qytetarë të rendit të dytë në shtetin sllav”, reaguan nga “Ballistët”.
Reagoi edhe Shkëndija te delegati i ndeshjes, duke akuzuar sektorin për Punë të Brendshme të Strumicës.
“Protesta jonë nuk dha rezultat pasi delegati i ndeshjes nuk kërkoi në asnjë moment heqjen e flamurit. Gjithçka ishte në regji të Sektorit për Punë të Brendshme të Strumicës”, theksuan nga KF Shkëndija.
Përzënia nga ana e policisë u komentua edhe nga Bdi-ja në opozitë, e cila e akuzon VLEN-in si përgjegjës.
“Poshtërimi ditor nga ana e humbësve të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare është në përmasa alarmante, duke cenuar këtë radhë flamurin kombëtar shqiptar për qytetarët. Paaftësia e vazalëve dhe humbësve si Astrit Iseni, po i merr në qafë shqiptarët…. Dorëheqja është gjëja më e paktë që mund të bëni nëse keni pikë dinjiteti kombëtar”, thanë nga BDI.
Për politizimin e mëtejshëm dhe shndërrimin e këtij incidenti në akte më të mëdha ndëretnike, kryeministri Mickoski nga ana tjetër, u shpreh se është e qartë që për ish politikanët që synojnë të mbrojnë pasuritë e tyre, mund të pritet edhe keqpërdorime dhe manipulime të ndryshme. Ai bëri apel që qytetarët të mos bien pre e konsiperacioneve të tilla.
“Këtë do të bëjë me një grup të caktuar që të shkaktojë incident ndëretnik, pasi që kjo është mënyra e vetme që të magnetizojë publikun për atë që paralajmërojnë, destabilizimi ose organizimi i protestave të cilat i planifikojnë në vjeshtë. Nuk mund të lejojmë një gjë të tillë si qytetarë dhe si qeveri”, shtoi Hristijan Mickovski, kryeministër i Maqedonisë.
Një ditë më parë tifozët tetovarë “Ballistët” duke ndjekur ndeshjen e kampionatit të futbollit mes “Shkëndijës” dhe ekipit vendës “AP Brera”, nga ana e policisë janë dëbuar nga stadiumi i qytetit në Strumicë, pas shpalosjes së flamurit kombëtar shqiptar. Ministria deri tani nuk ka sqaruar arsyen e largimit të tifozëve. Deri tani nuk është prononcuar as Federata e Futbollit të Maqedonisë./Alsat.mk