Opozita konfirmon pjesëmarrjen në seancë, por hesht për votimin e raportit

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot në orën 12:00, pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për të respektuar rregulloren. Partitë e opozitës, LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të votojnë raportin e verifikimit të kuorumit.

Pak çaste pasi presidentja Vjosa Osmani i ktheu me letër zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, deputetit më të vjetër Avni Dehari, që seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh, ashtu siç kërkohet me rregullore, Kuvendi i Kosovës doli me njoftim me 17.04. në orën 12:00 do të vazhdojë seanca.

Partitë, si Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, por nuk kanë thënë nëse do ta votojnë raportin për çka u ndërpre dje seanca. Po ashtu, nuk kanë konfirmuar nëse kanë ndryshuar qëndrimet sa i përket votimit të emrit të ri për kryeparlamentar, i cili duhet të propozohet nesër nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nëse kalon raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, të cilin këto parti e votuan kundër me 15.04.

LDK ka përsëritur kërkesën dhe ka thënë se Albin Kurti duhet të japë dorëheqje formale bashkë me 15 ministrat e tij.

Ndryshe, miratimi i mundshëm i raportit të verifikimit të kuorumit dhe mandateve të 120 deputetëve të rinj të legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do t’i hapte rrugë betimit të tyre dhe propozimit dhe zgjedhjes së kryetarit e nënkryetarëve të legjislaturës së 9-të. Pas kësaj, do të shihet nëse partia fituese e zgjedhjeve ka numrat për ta krijuar qeverinë e re të vendit, përbërja e së cilës dhe numrat ende nuk dihen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *