Media zvicerane preku imazhin e shqiptarëve apo hoxhën shqiptar?

Jo çdo histori individi është thjesht çështje personale; ndonjëherë, ajo zbulon gjendjen e një komuniteti të tërë. Heshtja e udhëheqësve sharlatanë lejon që pretekstet të shndërrohen në njollosje kolektive

Nga Vjollca Shabani

Kohët e fundit, mediat zvicerane kanë tërhequr vëmendjen mbi komunitetin shqiptar mysliman, duke i kushtuar një hapësirë të konsiderueshme çështjes së “radikalizimit të islamit”, me theks të veçantë tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Një prej këtyre mediave, gazeta “20 Minuten”, një prej mediave më prestigjioze dhe më të lexuara në Zvicër, ka raportuar për mbulimin e kokës nga fëmijët dhe vajzat që ndjekin kurse për mësimin e Kuranit, duke përmendur emrin e hoxhë Bekim Alimi nga RMV. Ky raport ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe emocionale brenda komunitetit, duke ngjallur shqetësime mbi imazhin e hoxhës, të cilin autoritetet zvicerane e njohin më mirë se çdo kush tjetër. Bekim Alimi ka reaguar menjëherë, duke mohuar çdo lidhje me radikalizmin dhe duke theksuar se praktikimi i fesë është pjesë e traditës dhe devotshmërisë islame. Ai ka bërë të qartë se mbulimi i kokës nuk është simbol i radikalizmit, por akt i devotshmërisë dhe i edukimit fetar. Reagimi i tij, i qartë dhe i matur, synonte të ndante realitetin fetar nga perceptimi i deformuar që u prezantua në media.
Megjithatë, ajo që ka ngjallur më shumë debate ka qenë (mos)reagimi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut dhe veçanërisht i drejtuesit të saj, Shaqir Fetai. Në vend që të ndërmerrte hapa për të sqaruar situatën dhe për të mbrojtur komunitetin shqiptar mysliman nga keqinformimi i medias, Fetai ka zgjedhur të presë hoxhë Bekim Alimi në zyrën e tij dhe të publikojë një komunikatë që lavdëron figurën e tij. Ky veprim “i më të fortit” ka habitur shqiptarët e vendit, pasi duket se i ashtuquajturi udhëheqës i Bashkësisë ka preferuar të mbrojë një individ të caktuar, duke injoruar përgjegjësinë më të gjerë për të mbrojtur imazhin dhe integritetin e komunitetit shqiptar në nivel ndërkombëtar.
Ky incident nxjerr në pah një problem strukturor të institucioneve fetare shqiptare: mungesën e përgjegjësisë kolektive dhe të një qasje strategjike institucionale në menaxhimin e imazhit të komunitetit jashtë vendit. Jo se nuk ka pasur edhe më herët probleme të tilla por, nisur nga ajo që rrëfen ish-reisul ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, drejtuesit e atëhershëm kërkonin dhe realizonin takime me autoritetet shtetërore të vendeve ku shfaqeshin evendualisht ndonjë dukuri e papëlqyeshme. Kësisoj, gjatë viteve 2008-2009 H. Sulejman ef. Rexhepi, së bashku me ish-sekretarin gjeneral të BFI-së, H. Afrim ef. Tahirin, klanë udhëtuar si në Berlin ashtu edhe në Bern ku së bashku me strukturat drejtuese të Ministrisë së Jashtme dhe të asaj të Brendshme kanë zgjidhur dhe tejkaluar çdo problem që është shfaqur me synim për ta dëmtuar imazhin kombëtar të shqiptarëve mysliman nga Maqedonia e Veriut dhe jo vetëm!
Ndërsa sot, në vend që të ndërmerrnin hapa për të kontaktuar institucionet zvicerane, ambasadën e Zvicrës në Shkup, ose redaksinë zvicerane për sqarime, BFI-ja e Shaqir Fetait ka zgjedhur të veprojë në mënyrë lokale dhe të fokusohet tek një individ, duke harruar se sfidat e perceptimit ndërkombëtar kërkojnë veprime të koordinuara dhe të përgjegjshme.
Ky incident është gjithashtu një kujtesë e rëndësishme për nevojën që institucionet fetare shqiptare të jenë transparente dhe proaktive. Për të ruajtur dhe promovuar një imazh të shëndoshë të komunitetit mysliman, nuk mjafton të mbrohet një individ; kërkohet një qasje e unifikuar që përfshin sqarime publike, dialog me mediat, ndërveprim me institucionet ndërkombëtare dhe promovim të integrimit social dhe kulturor. Heshtja ose mbrojtja selektive e individëve nuk zgjidh problemet, por i lë komunitetin të ekspozuar ndaj keqinformimit dhe stereotipave.
Në përfundim, “incidenti” me hoxhë Bekim Alimin dhe raportimin e medias zvicerane “20 Minuten” thekson nevojën për përgjegjësi institucionale dhe kolektive nga ana e komuniteteve shqiptare myslimane jashtë vendit. Një qasje më e koordinuar dhe transparente mund të parandalojë keqinformimin, të mbrojë reputacionin e komunitetit dhe të forcojë imazhin e një bashkësie të integruar dhe të respektuar në shoqërinë zvicerane. Shaqir Fetai nuk mund të pretendonte se e njeh Bekim Alimin më mirë se institucionet shtetërore zvicerane, dhe ky fakt hedh dritë mbi mungesën e koordinimit dhe përgjegjësisë institucionale në trajtimin e çështjeve që prekin imazhin e komunitetit shqiptar mysliman. Kjo mungesë koordinimi ka pasoja të dukshme: çdo reagim i vonuar ose selektiv i institucioneve fetare mund të keqinterpretohet nga publiku ndërkombëtar dhe të ushqejë perceptime të pasakta mbi komunitetin. Heshtja ose mbrojtja e individëve të caktuar nuk adreson problemet strukturore, por i lë komunitetin të ekspozuar ndaj stereotipeve dhe keqinformimit, duke ulur besueshmërinë e institucioneve që duhet të jenë udhëheqëse në situata të tilla. Në këtë mënyrë, përgjegjësia kolektive transformohet në heshtje të dyfishtë: heshtjen e mediave, e cila shpesh deformon realitetin, dhe heshtjen e udhëheqësve fetarë, e cila përforcon pasigurinë dhe konfuzionin brenda komunitetit.
Ky akt i Shaqir Fetait, shprehur në gjuhën diplomatike, veçse i bën karshillëk organeve gjegjëse zvicerane si dhe dëmton çështjen kombëtare shqiptare. Apo për çështjet e tilla Shaqir Fetait nuk i dhemb, sepse mund ta prekë arushën (UDB-në) aty ku nuk duhet!
Situata nuk ka të bëjë vetëm me hoxhën Bekim Alimin; ai përdoret si pretekst për të njollosur tërë komunitetin shqiptar mysliman në Zvicër. Pyetja që lind është: duhet të mbrohet individi nga shpifjet, apo duhet të mbrohet kauza kombëtare nga njollosja që përdor individin si alibi?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *