Kritika letrare si pasuri kombëtare

Nga Avni Halimi

Na u bënë qindra shtëpi botuese që po merren me prodhimin e librit! Libra shumë e letërsi shumë pak! Po krijojmë një “klimë kulturore” ku letërsinë po e trajtojmë kryekëput si zbavitje. Në treg po nxjerrim mijëra tituj, ndërkohë që po na mungon filtri i vlerësimit. Dhe na duhet të konstatojmë se mungesa e një shkolle të mirëfilltë të kritikës letrare, është më shumë se një hendek akademik – është një simptomë e thellë e varfërisë sonë kulturore.
Botës shqiptare sot i mungon një shkollë e vërtetë e kritikës letrare. Jo një vend ku thjesht jepen opinione për libra, por një strukturë që formon mendimtarë, lexues të thellë dhe krijon një sistem të qëndrueshëm të vlerësimit estetik dhe teorik. Në mungesë të saj, jemi dëshmitarë të një letërsie që prodhohet pa reflektim, që qarkullon pa ndonjë rend meritokratik, dhe që harrohet shpesh pa lënë gjurmë.
Akoma mburremi me atë kritikë letrare të cilën e kemi si trashëgimi të realizmit socialist, edhe pse ajo kritikë më shumë se praktikë e lirë e mendimit, ishte një instrument ideologjik. Shkrimtari duhej të lavdërohej ose të dënohej në përputhje me vijën e ideologjisë, dhe kritiku ishte më shumë një gjykatës se sa një interpretues (kjo në Shqipëri, ndërsa në Kosovë dhe në viset tjera etnike kritika letrare ishte më “shkencore”!) . Pas kësaj periudhe, kritika u braktis – ose më saktë, u la në mëshirë të rastësisë dhe mediokritetit.
Po si qëndron puna nëpër vendet e zhvilluara ku bëhet letërsia? Aty kritika letrare është themel i diskursit kulturor. Universitetet, siç janë në Francë, SHBA, Gjermani, Spanjë, Itali, Britani etj., janë jo vetëm qendra studimi, por laboratorë të mendimit kritik. Aty lindin teori të reja, sfidohen kanonet, dhe kritika e shkrimit është një akt po aq krijues sa vetë shkrimi letrar.
Për më tepër, ekzistojnë revista, fonde dhe platforma të tëra që i japin zë kritikëve: The New York Review of Books, Poetics Today, Critique, janë vetëm disa prej tyre. Në këto vende, kritika nuk është as pasojë dhe as luks – është pjesë përbërëse e jetës kulturore.
Të kesh një shkollë të kritikës nuk do të thotë të hapësh një zyrë tjetër burokratike. Do të thotë të investosh në formimin e mendjes kritike të shoqërisë. Sepse, kritika kultivon lexues të vetëdijshëm, që dinë të bëjnë dallimin mes letërsisë së mirë dhe asaj që vetëm duket si e tillë; ajo ndihmon vetë shkrimtarët, duke u ofruar pasqyrim dhe sfidë intelektuale; vendos një sistem referimi, ku vlerësimi nuk është çështje rasti apo lidhjesh, por është argument, është kuptim.
Fatkeqësisht, ne si komb po e ndjejmë mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare, porse institucionalisht nuk po ndërmarrim asgjë. Vlerësimi “qenka kryevepër”, na është bërë “rutinë akademike”! Në mungesë të kritikës profesionale natyrisht që çdo libër “do të jetë” kryevepër – dhe kur gjithçka është kryevepër, asgjë nuk është.
Së këndejmi, ka ardhur koha për të menduar seriozisht për krijimin e një Qendre të Kritikës dhe Teorisë Letrare, ku të zhvillohen kërkime, trajnime dhe të botohet kritikë e mirëfilltë. Nga institucionet relevante kombëtare të themelohen revista kritike të përmuajshme, ku do të zhvillohet debat i qëndrueshëm, jo thjesht reklamë librash. Të themelohen platforma edukative për kritikë të re, ku studentët e letërsisë të mos mësojnë vetëm për autorët e shekullit XIX, por të angazhohen me letërsinë që lind sot. Pa dyshim, duhet fuqishëm të mbështen përkthimet e teorisë bashkëkohore, e cila mungon në shqip dhe e kufizon shumë horizontin kritik të lexuesit shqiptar.
Kritika letrare nuk është një zë që bezdis – është zëri që mungon. Pa të, letërsia është një lule që çel në errësirë, e bukur ndoshta, por e padukshme. Dhe, si mund të ekzistojë, nëse askush nuk e sheh?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *