Gjuha shqipe si sfidë e fundit europiane për RMV-në

Shkruan Avni Halimi


Në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, skandali i radhës lidhet me një “zbulim” të çuditshëm: ministri aktual nuk e paska ditur që në faqen zyrtare të këtij institucioni mungon gjuha shqipe. Dhe për këtë problem, zgjidhja premtohet “për pesë minuta”. E ndërsa ai “zgjidhet” me një fjali, zëvendësministri shqiptar i së njëjtës ministri deklaron se që nga fillimi i këtij viti nuk pranon të nënshkruajë asnjë dokument që nuk është edhe në shqip – qoftë edhe kur bëhet fjalë për dokumente në favor të shqiptarëve. Dy qëndrime, një realitet: loja politike me gjuhën shqipe në RMV po bëhet barrikada më e madhe ndaj bashkëjetesës dhe integrimit europian.
Gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Këtë nuk e thotë vetëm realiteti demografik, por edhe vetë Kushtetuta, ligjet dhe marrëveshjet politike që e kanë shpëtuar këtë shtet nga përplasjet etnike. Dhe megjithatë, ajo vijon të trajtohet si një e drejtë me kusht, si një bezdi administrative dhe jo si një aset i shtetësisë së përbashkët.
Për më tepër, përfaqësuesit e institucioneve maqedonase vazhdojnë të sillen sikur zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është një “tolerim i përkohshëm”, e jo një detyrim kushtetues. Shfaqjet publike në gjuhën shqipe mungojnë. Faqet zyrtare nuk përkthehen. Dokumentet nuk përgatiten në dy gjuhë. Përkthimet e shqipes në mediat maqedonase janë të ndaluara. E gjithë kjo prodhon një narrativë të heshtur por të qëndrueshme: shqipja është një gjuhë e huaj dhe e një armiku në shtetin tonë. Ç’do të ndodhte sikur kjo qasje të ishte edhe ndaj serbishtes në Kosovë?
Në një vend ku shqiptarët përbëjnë rreth 30% të popullsisë, mediat maqedonase vazhdojnë të funksionojnë si media etnike, jo si shërbime publike kombëtare. Në emisione, gjuha shqipe përjashtohet, e nëse ftohet ndonjë shqiptar në studio, qoftë ky edhe Kryetar i Kuvendit të shtetit, ai detyrohet të flasë maqedonisht – përndryshe nuk ka mikrofon. Pse? Sepse përkthimi simultan, që është standard në gjithë Evropën shumëgjuhëshe, këtu shihet si luks apo “kërcënim i unitaritetit”.
Ky është një përjashtim i qëllimshëm. Dhe përjashtimi nuk është kurrë neutral – ai është gjithmonë dhunë simbolike. Ai nënkupton: “Gjuha jote nuk ka vend këtu. Ti nuk ke vend këtu.” Kush e urren gjuhën e tjetrit? Vetëm nacionalizmi e urdhëron një shoqëri që të shohë gjuhën e tjetrit si armik. Vetëm ndjenja e pasigurisë identitare e bën dikë të frikësohet nga emri, alfabeti dhe fjala e tjetrit. Në vend që të përdoret për të rritur kapacitetin institucional dhe shumëgjuhësinë e një shteti që synon Evropën, ajo kufizohet, përbuzet dhe shndërrohet në simbol konflikti. Kjo nuk është rastësi. Kjo është politikë e planifikuar e përjashtimit. Dhe për këtë politikë, përgjegjësia nuk është vetëm e qeverive – por edhe e elitës intelektuale maqedonase, e cila në vend që të mbrojë pluralizmin kulturor e gjuhësor, hesht, shmanget ose, në shumë raste, e legjitimon urrejtjen ndaj gjuhës shqipe në emër të një “kombësie të pastër”.
Nëse Maqedonia e Veriut ka hequr dorë nga emri, nga flamuri dhe nga pjesë të rëndësishme të narratives historike për të hyrë në Evropë, atëherë duhet të heqë dorë edhe nga diskriminimi gjuhësor. Nuk mund të kërkosh integrim në një union shumëgjuhësh duke i shpallur luftë njërës nga gjuhët zyrtare të vetë shtetit tënd.
Nëse shqiptarët fillojnë të ngrenë zërin fuqishëm nëpër institucione, në media ndërkombëtare dhe në organizatat europiane për këtë diskriminim, atëherë do të jetë vetë Evropa ajo që do të vendosë vijën e kuqe: ose Maqedonia e bashkëjetesës reale institucionale, ose izolimi nga rruga europiane. Dhe këtë e dinë maqedonasit, ndaj dhe kërkojnë garanci nga institucionet evropiane se nuk do të ketë kushtëzime të tjera për kombin maqedonas.
Gjuha shqipe nuk është përkthim. Nuk është lëmoshë. Nuk është koncesion politik. Është e drejtë kushtetuese. Është pjesë e identitetit të këtij shteti. Dhe, koha që ky shtet të vendosë: a dëshiron të jetë një shoqëri shumëgjuhëshe dhe demokratike, apo një bunker etno-nacionalist që frikësohet nga vetvetja?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *