FIFA ka deklaruar se do të “monitorojë zhvillimet” pas fillimit të operacioneve ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit një situatë që hedh hije të errëta mbi Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet kryesisht në territorin amerikan.
Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën fillimin e goditjeve me raketa ndaj Iranit, duke e cilësuar misionin si “operacion i madh luftarak”. SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer një operacion të përbashkët ushtarak, me goditje në disa vendndodhje në Iran, duke përfshirë kryeqytetin Teheran. Irani, nga ana e tij, ka kundërgoditu me raketa drejtuar Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Katar, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Jordani dhe Bahrejn.
FIFA flet nga Cardiffi
Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, i pranishëm në mbledhjen vjetore të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB) në Cardiff të Uellsit, tha: “E lexova lajmin [për Iranin] mëngjesin e sotëm, ashtu si ju.” Ai shtoi se situata do të vijojë të monitorohet nga organet e futbollit botëror.
Irani në Grupin G, sipas kalendarit të gjitha ndeshjet do t’i luaj në territorin amerikan
Irani është kualifikuar për Kupën e Botës nëpërmjet Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC) dhe është caktuar të luajë ndaj Belgjikës, Zelandës së Re dhe Egjiptit në Grupin G, me të gjitha ndeshjet e grupit të planifikuara të zhvillohen në territorin e SHBA-së, konkretisht në Seattle, Los Anxhelos dhe Atlanta. Kjo situatë paraqet një paradoks diplomatik dhe sportiv: vendi organizator i shumicës së ndeshjeve ka nisur operacione ushtarake ndaj një prej skuadrave pjesëmarrëse.
