Natën e Vitit të Ri, një zjarr ka përfshirë një bar të mbushur me njerëz në një qendër skijimi në Zvicër, konkretisht në qytetin Crans-Montana, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e disa personave, përcjell TV21. Një “zjarr me origjinë të pacaktuar” shpërtheu në një bar të njohur për turistët, njoftoi policia në kantonin Wallis në jugperëndim të Zvicrës.
“Disa persona humbën jetën dhe të tjerë u plagosën”, thuhet në deklaratë.
“Një kontingjent i madh policie, zjarrfikësish dhe punonjësish shpëtimi shkoi menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar viktimat e shumta”, thonë autoritetet.
Gazeta zvicerane Blick citon një doktor në vendngjarje i cili supozon se numri i të vdekurve mund të jetë në “dhjetëra.” Gazeta rajonale Le Nouvelliste gjithashtu tha se burimet e saj e përshkruan ngjarjen si “një humbje të madhe,” me “rreth 40 të vdekur dhe 100 të plagosur.”
Nga pamjet e publikuara nga mediat zvicerane shihet një ndërtesë në flakë dhe njerëz duke bërtitur dhe duke vrapuar në errësirë. Mediat zvicerane thonë se dyshohet se zjarri mund të ketë nisur nga përdorimi i piroteknikës gjatë një koncerti.
Zëdhënësi i policisë, Gawtan Lathion, i tha AFP më herët se fillimisht kishte pasur një “shpërthim me origjinë të panjohur.” Ai tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit në një bar të quajtur Le Constellation, ku më shumë se 100 persona ishin mbledhur për festimet e Vitit të Ri.
