Çfarë kuptimi ka procesi gjyqësor, kur pala që e nxit atë e di paraprakisht se do ta humbë? Çfarë vlere ka ankimi, apelimi dhe riciklimi i pafund i çështjeve nëpër instanca, kur akuzat mbi të cilat është ndërtuar i gjithë procesi janë të pabaza, të rreme dhe politikisht të motivuara
Nga Mahir Rexhepi
Në Bashkësinë Fetare Islame ekziston tashmë një praktikë e njohur: përjashtime nga puna të diktuara jo nga ligji, jo nga etika institucionale, por nga kalkulime politike dhe nga komplekset personale. Personat e larguar padrejtësisht detyrohen të kërkojnë drejtësi në gjykata, ku për vite të tëra sorollaten nëpër procedura, ankesa dhe instanca, derisa drejtësia, e lodhur, e vonuar, por ende e gjallë, nën monitorimin “sekret” të faktorit relevant ndërkombëtar, më në fund e thotë fjalën e saj.
Dhe fjala e drejtësisë është e qartë: shkarkimet kanë qenë të paligjshme; punëtorët duhet të kthehen në vendet e punës; pagat dhe kontributet shëndetësore e pensionale duhet të paguhen retroaktivisht. Këtu nuk ka interpretime, as hapësirë për manovra. Vendimi gjyqësor është urdhër, jo rekomandim.
Por pikërisht këtu fillon faza e dytë e abuzimit: moszbatimi i vendimit gjyqësor. Çdo ditë vonesë në ekzekutimin e urdhrit të gjykatës prodhon kamata-vonese. Dhe kur këto vonesa zgjasin me vite, shumat fryhen në qindra mijëra euro. Atëherë shtrohet pyetja thelbësore: kush humb dhe kush fiton?
Në letër, humb BFI. Në realitet, humbin myslimanët e Maqedonisë së Veriut. Humbin ata që nga fitri, zeqati dhe kafshata e gojës financojnë një buxhet që shpenzohet jo për mision fetar, jo për arsim, jo për bamirësi, por për mbulimin e budallallëqeve dhe kapriçove personale të Shaqir Fetait. Paratë nuk dalin nga xhepi i Fetait; ato dalin nga xhepi i besimtarëve.
Ndërkohë, dikush fiton. Fiton avokati i angazhuar për të “fituar” një çështje të humbur që në nisje. Fiton rrethi familjar apo klientelist që ushqehet nga zvarritja e proceseve. Fiton një kulturë e sëmurë ku humbja juridike shndërrohet në përfitim financiar përmes kamatave, honorareve dhe procedurave të pafundme.
Kjo nuk është paaftësi administrative; kjo është strategji e vetëdijshme. Shaqir Fetai e di se do të humbë. Ai e di se drejtësia në fund do të vendosë kundër tij. Por ai gjithashtu e di se sa më shumë të zvarritet procesi, aq më shumë kohë blen për pushtetin e tij personal. Edhe kamatën e pranon, sepse nuk e paguan vetë. E pranon, sepse për të pushteti ka më shumë vlerë se përgjegjësia morale.
Në thelb, kemi të bëjmë me një sindromë të rrezikshme: frikën patologjike nga figura të ndritura kombëtarisht dhe fetarisht, të cilat nuk i nënshtrohen servilizmit. Kjo frikë projektohet në përjashtime nga puna, në ndjekje administrative dhe në luftë personale, të gjitha të financuara nga buxheti i besimtarëve.
Zvarritja e zbatimit të vendimeve gjyqësore nuk është më thjesht shkelje ligji; është shpërfillje e rendit juridik dhe tallje me drejtësinë. Kur një “institucion fetar” sillet si feudal privat, ku një individ dëshiron të jetë njëkohësisht “sam pasha, sam aga”, atëherë kemi kaluar nga keqmenaxhimi në uzurpim.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Por drejtësia e zvarritur qëllimisht është vjedhje morale dhe financiare. Dhe për këtë dikush duhet të japë llogari, jo vetëm para gjykatave tokësore, por edhe para ndërgjegjes dhe Zotit, nëse ende besohet se Ai nuk manipulohet por rreptësisht e ndalon kamatën.
