Vuçiq pas dënimit të Dodikut: Serbia s’ka qenë në situatë kaq të vështirë që nga viti shpallja e pavarësisë së Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi se Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë do të mblidhet pas vendimit përfundimtar të Gjykatës në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila dënoi presidentin e entitetit serb, Republika Serbe, Milorad Dodik.

Vuçiq deklaroi se Serbia nuk është përballur me një situatë kaq të rëndë dhe presion kaq të madh që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Ai përmendi edhe kriza të tjera me të cilat është përballur shteti serb, si përmbytjet, kriza e emigrantëve, pandemia e COVID-19, lufta në Ukrainë dhe tensionet në Kosovë.

Dodik u dënua më 1 gusht me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, Christian Schmidt. Vendimi është përfundimtar dhe nuk lejon apelim.

Në reagim ndaj këtij zhvillimi, Vuçiç tha se Serbia është nën trysni të madhe ndërkombëtare dhe paralajmëroi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë për ditën e shtunë.

Nga ana tjetër, Dodik deklaroi në një konferencë për media në Banja Lluka se nuk e pranon vendimin dhe se do t’i nënshtrohet vetëm vendimeve të institucioneve të RS. Ai njoftoi se Kuvendi i entitetit do të hartojë një plan për të dalë nga kjo situatë dhe se do të kërkojë mbështetje nga Serbia, Rusia dhe SHBA.

Avokati i Dodikut tha se do të apelojnë vendimin në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.

Dodik u shpall fajtor për nënshkrimin e një dekreti që shpallte në fuqi ligje të cilat ishin anuluar më parë nga Përfaqësuesi i Lartë. Me këto ligje, Republika Serbe synonte të pengonte zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Përfaqësuesit të Lartë në territorin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *