Uroi mësuesit, pasi i dëboi nga puna.
Foli për dritën, por nuk di nga hyn ajo në FSHI.
Ky nuk është urim, por ngushëllim për moralin.
Nga Suzana Ramadani
Në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, instalacioni i shpifur në krye të BFI-së nga qarqet antifetare e antikombëtare, Shaqir Fetai, doli me një urim të ngarkuar me fjalë të mëdha: “mësuesit janë themeli i shoqërisë”, “janë dritë e dijes”, “Zoti i shpërbleftë për përkushtimin e tyre”. Një tekst që, në lexim të parë, mund të dukej si një gjest fisnik, si shenjë respekti ndaj njerëzve të dijes. Por vetëm në leximin e parë! Sepse, në thelb, ky nuk është urim, është farsë. Një tekst që rreh gjoksin për moral, ndërsa fsheh një zemër plot përbuzje ndaj vetë atyre që përmend me “nderim”.
Ironia është e qartë: uron mësuesit, por i përçmon profesorët; flet për dritën, por vetë është burim i errësirës morale në institucionin që drejton; përdor gjuhën e urimit për të fshehur urrejtjen. Ky “urim” është, në fakt, një maskë, një përpjekje e dështuar për të mbuluar plagët që vetë ai i ka shkaktuar brenda Fakultetit të Shkencave Islame. Sepse si mund të urdhërojë bekime për mësuesit një njeri që ka shkelur dinjitetin e tyre, që ka përjashtuar nga puna profesorë me integritet, që i ka trajtuar si rivalë e jo si bashkëpunëtorë në misionin e dijes?
Le ta themi hapur: ky “urim” nuk është gjë tjetër veçse një kartolinë për sy e faqe, një shfaqje publike për të larë imazhin e njollosur nga katër vite indiferencë ndaj arsimit, katër vite ai nuk shprehi kurrfarë respekti ndaj FSHI-së dhe profesorëve ngase po drejtoheshin nga rivali i tij shumë i denjë. Katër vite në të cilat nuk e ka shkelur asnjëherë derën e Fakultetit të Shkencave Islame, institucion që, teorikisht, duhet të ishte zemra e misionit të tij fetar e arsimor. Si mund të flasë për respekt ndaj mësuesit një njeri që injoron për vite me radhë profesorët e vet? Si mund të flasë për etikë ai që e ka reduktuar arsimin në mekanizëm pushteti e jo si tempull të dijes?
E pastaj, vjen heshtja, ajo heshtje që e tradhton edhe më shumë se fjalët. Në një botë që qan për mësuesit e vrarë në Palestinë, për ata që japin mësim nën rrënoja, Shaqir Fetai nuk gjen dot as një fjali. As një lutje. As një ndjesi njerëzore. Për të, mësuesit që vdesin nën pluhur nuk janë “ndërkombëtarë”. Ata janë jashtë horizontit të lutjeve të tij, jashtë hartës së hipokrizisë që e mban gjallë moralin fals.
Në fakt, ky urim është fotografia më e qartë e një realiteti ku fjala fetare përdoret për të kamufluar mungesën e karakterit. Ku fjalët e urimit janë veç një fasadë për të fshehur arrogancën, frikën dhe paaftësinë për t’u përballur me dijen e vërtetë. Sepse problemi i tij me profesorët nuk është personal, është ekzistencial: ai nuk mund ta durojë praninë e dijes, sepse dija e vërtetë nuk i bindet pushtetit.
E në fund, ky urim mbetet një dokument i vogël hipokrizie publike: një tekst që pretendon të ngrejë lart mësuesin, por që përmban në çdo rresht hijen e përbuzjes ndaj tij. Mësuesit e vërtetë nuk kanë nevojë për bekime të tilla. Ata kanë nevojë për drejtësi, respekt dhe një shoqëri që e di se dija nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi liri.