Nuk ka subjekt e faktor, nuk ka institucion e komunitet i brendshëm e i jashtëm që nuk e di se, Shaqir Fetai ia doli të instalohet në krye të BFI-së falë tradhëtisë. Pasojat për një institucion fetar, kur udhëheqësi i tij vjen në pushtet përmes tradhëtisë, mund të jenë të shumta dhe të thella, duke prekur si strukturën e brendshme të institucionit ashtu edhe marrëdhëniet me besimtarët dhe shoqërinë më gjerë
Nga Mr. Eset Shaqiri
Ngjarjet historike gjithnjë janë shikuar si mësim i së kaluarës për të ardhme më të sigurtë. Nëse një udhëheqës (në rastin konkret, fetar) merr postin përmes tradhëtisë, shumë besimtarë mund të ndjejnë se morali dhe etika e institucionit është komprometuar. Kjo mund të çojë në një rënie të besimit te udhëheqësia dhe te mesazhi i institucionit. Dhe ja ku na vie pastaj edhe përçarje brenda vetë institucionit ndërmjet atyre që e mbështesin udhëheqësin dhe atyre që e kundërshtojnë mënyrën si ai ka ardhur në pushtet.
Pasojat e humbjes së besnikërisë
“Suksesi” i tradhëtisë kompletohet kur ajo kryhet mbi idealin dhe mbi shokët bashkëveprimtarë në ngritjen e atij ideali. Pra, fill pas tradhëtisë së idealit vjen tradhëtia ndaj shokëve.
Shaqir Fetai ishte fëmija më i llastuar i ish-reisul ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi, ishte personi për të cilin efendi Rexhepi kishte dhënë gjithçka, e kishte zhvilluar në karrierë, e kishte përkrahur, e kishte ndihmuar, mburrur, e kishte ngritur lart e më lart, madje mbi kokën e vet. Tërë ky lazdrim sepse Shaqir Fetai kishte qenë njeriu “më besnik” i efendi Rexhpit, kurrë nuk ia kishte prishur, kurrë nuk e kishte kritikuar, kurrë nuk e kishte sugjeruar në kuptimin e eliminimit të ndonjë anomalie tek ai apo në BFI. Shaqir Fetai nuk i përtonte që të thurrë elozhe për Sulejman Rexhepin nëpër paraqitje publike; ishte i gatshëm madje ta ngris edhe në nivele të “pejgamberllëkut”! Dhe, kur ia doli që t’ia marrë tërë atë besim, pikërisht në këtë çast ndodhi tradhëtia e madhe e Shaqir Fetait. Brenda natës atë dhe sojin e tij i paska mbledhur “dora misterioze” dhe paska dhënë urdhër që të ndodhë TRADHËTIA. Shaqir Fetai e shkarkoi “pejgamberin” e vet, Sulejman Rexhepin, sepse ky gjatë tërë kohës na e paska shkelur nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së! Tani, vetë një pyetje: kur tradhëtoi më shumë Shqir Fetai, atëherë kur e gënjente opinionin për vlerat e larta morale të Sulejman Rexhepit, i cili tërë kohës paska shkelur Kushtetutën e BFI-së, apo tani, kur “pejgamberit” të vet ia nguli thikën pas shpine?
Shaqir Fetai, për të lënë përshtypjen te shokët e vet se nuk është tradhëtarë, përçarës e njeri i prishur, kishte pranuar që në Çegran, në shtëpinë e mikut të vet, në ora 22.30 minuta, të takohen me ish-sekretarin gjeneral të BFI-së, drejtusin e opozitës dhe të grupit reformues të BFI-së, me Afrim Tahirin, dhe të merren vesh për stabilizimin dhe reformimin e këtij Institucioni fetar. Në odë ishin mbledhur burrat, ndërsa në moment të fundit lajmërohet Shaqir Fetai dhe thotë se nuk guxon të takohet me Afrim Tahirin sepse nuk e lejon ajo “dorë misterioze” që e shtyu atë në tradhëti fatale, me demek këta të BDI-së! I tradhëtoi shokët, e tradhëtoi konakun, e tradhëtoi vizionin për stabilizimin dhe reformimin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV.
Kjo është pasojë e tradhëtisë, sepse tradhëtia nxit klimë mosbesimi dhe frike si në kokën e prijësit në tradhëti ashtu edhe brenda institucioneve fetare, duke nxitur më tej konflikte dhe ndasi midis udhëheqësve të ndryshëm. Kjo mund të shtojë përpjekje të mëtejshme për të marrë pushtet në mënyrë jo legjitime. Pa dyshim, udhëheqësi që ka ardhur në pushtet përmes tradhtisë mund ta ketë të vështirë të ruajë autoritetin e tij në mënyrë të qëndrueshme, pasi do të sfidohet nga figura të tjera që do ta shohin si të padrejtë apo të pandershëm. Si rrjedhojë do të pasojë humbja e besnikëisë!
Mësimet e strategut “misterioz”
Ata që iu përgjigjen kërkesës së “dorës misterioze” që të tubohen brenda natës në Gostivar, ta shkarkojnë ish-reisul ulemanë dhe, ta përkrahin përfaqësusin e tradhëtisë me pasoja destabilizimi deri në shkatërrim të BFI-së, po të njëjtin do të ndërgjegjësohen dhe, sakaq, do të kërkojnë që Shaqir Fetai, ky tradhëtar jashtëzakonisht i rrezikshëm i idealit dhe i shokëve, të shkarkohet! Pra, u zhduk besnikëria. Tani, trdhëtari do të akuzojë për tradhëti! Shaqir Fetai do të marrë masa me largim nga puna kundër të gjithë atyreve që ia përqafuan tradhëtinë dhe pabesisht e sollën në krye të BFI-së!
Ky ishte edhe synimi i “strategut misterioz”, sepse ai fare mirë e dinte se pas lojës së tradhëtisë që rrjedh si qelb i çibanit të krimbur, do të pasojë humbja e reputacionit dhe legjitimitetit të BFI-së dhe të hoxhallarëve në sytë e publikut dhe të besimtarëve të tjerë, si brenda ashtu edhe jashtë tij. Sepse “strategu” e di fare mirë se, kur bie përdhe misioni shpirtëror atëherë mdhërohet ambicia personale për pushtet dhe, si rrjedhojë, pason shmangia e institucionit nga vlerat e veta.
Çka i solli Shaqir Fetait tradhëtia e idealit dhe e shokëve? Braktisi idealin që për tri dekada ishte ndërtuar në BFI, duke e ngritur këtë Institucion në një faktor me relevancë në vend dhe jasht. Përkushtimi ndaj një kauze, ndaj një platforme me frymë ideale, sakaq u braktis për një të mirë meskine, për përfitime personale. Shaqir Fetai hoqi dorë nga të gjitha ato vlera që ishin ndërtuar më herët ku kontribut të respektueshëm kishte dhënë edhe vetë ai në cilsinë e myftiut të Gostivarit dhe të bashkëpunëtorit më të ngushtë të ish-reisul ulemasë së BFI-së. Kjo tradhëti erdhi si rezultat i dëshirës patologjike të Shaqir Fetait për t’u bërë “reis”, për përfitime materiale, për status, për pushtet, në kurriz të idealit që dikur ishte i shenjtë.
Natyrisht, kjo dëshirë e sëmurë e Shaqir Fetait do të sjellë edhe në përçarje, në dualizëm, në opozitarizëm, deri në frakcionim e fragmentarizim të shoqërisë. Ky është synim i çdo armiku të idealit, sepse këtu funksionon ajo maksimë: “përçaj e sundo”! Të gjithë ata që besonin në idealin e ndërtuar madje edhe me kontribut të vetë Shaqir Fetait, nga kjo tradhëti e tij do të ndjehen të tradhëtuar dhe, thellësisht të zhgënjyer, të cilët pastaj do të angazhohen për një zgjidhje fatlume dhe të besueshme.
Pas tradhëtisë ndaj kryekomandantit e pësojnë edhe ushtarët
Vijmë te tradhëtia ndaj “bashkëluftëtarëve”! Ai që do të tradhëtojë kryekomandantin, pa dyshim që do t’i tradhëtojë edhe të gjithë ushtarët bashkëluftëtarë! Një individ shkel besimin që bashkëluftëtarët e tij kanë ndërtuar, duke zbuluar informacion, duke iu dorëzuar armikut ose duke u larguar nga përpjekja e përbashkët.
Kjo tradhëti ka pasoja të drejtpërdrejta për bashkëluftëtarët, të cilët mund të përballen me rrezik, burgim, apo me vdekje si rezultat i kompromitimit të tyre. Pasoja e kësaj tradhëtie të Shaqir Fetait mund të vërehet sidomos në Myftininë e Tetovës, ku Shaqir Fetai po paguan, po derdh financa të BFI-së vetëm e vetëm të vie deri te gjakëderdhja dhe vëllavrasja. Ndryshe si të kuptohet funksionimi i organeve paralele brenda BFI-së?! Ky është gjakimi kulmor i çdo tradhëtari. Individët që tradhëtojnë bashkëluftëtarët e tyre e dinë fare mirë se kjo sjell përfitime personale, si shpëtimi nga rreziku ose marrja e shpërblimeve nga armiku.
Pa dyshim, tradhëtia e idealit lidhet me konceptet e përgjithshme, me parimet dhe vlerat, ndërsa tradhëtia ndaj bashkëluftëtarëve lidhet me marrëdhëniet personale brenda një grupi të caktuar.
Tradhëtia e idealit prek një komunitet, një grup më të gjerë njerëzish që mund të jenë të përkushtuar ndaj të njëjtës kauzë, ndërsa tradhëtia ndaj bashkëluftëtarëve është më e drejtpërdrejtë dhe ndikon menjëherë te njerëzit që janë në afërsi të individit që tradhëton.
Të dyja këto forma të tradhëtisë sjellin pasoja të rënda, si humbjen e besimit, ndarjen dhe destabilizimin e kauzave apo grupeve që janë të lidhura me besimin dhe besnikërinë.
Aktualisht, nisur nga ngjarjet dhe skandalet që për çdo ditë po shpërthenë në BFI, krijohet përshtypja se tërë kjo është i vetmi “program” i Shaqir Fetait të cilin po ia del ta zbatojë me përpikmëri – për fatin tonë të keq!