Të mos shitet dinjiteti për urime boshe!

EDITORIAL

“Vizitë urimi”! Për kë dhe për çfarë?! Kur dëgjon lajmin se Shaqir Fetai ka realizuar një “vizitë urimi” në Universitetin Shtetëror “Nënë Tereza”, të ashtuquajturën “qendër intelektuale e BDI-së”, të ngërthen neveria. Edhe vizitë, edhe urim? Në cilën botë semantike bashkohen këto dy fjalë në një përkim kuptimor? Vetëm në botën e dekadencës brenda BFI-së ku hipokrizia është standard dhe ku dinjiteti është kthyer në monedhë këmbyese për interesa të vogla personale apo klanore.

Shaqir Fetai, uruesi i paftuar

Ky personazh i njohur për historikun e tij të errët, të lidhur me organet më të përbuzura të shtetit jugosllav – UDB-në – del sot si njeri i “vizitave” dhe “urimeve”. Vizita e tij në një institucion që mban emrin e Nënës Terezë është fyerje. Është përdhosje. Është njollosje morale ndaj një universiteti që, të paktën në letër, është thirrur të mbrojë dhe përfaqësojë dinjitetin akademik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shaqir Fetai hala nuk ia ka bërë një “vizitë ngushëllimi” familjes së teologut nga më të ndershmit në Gostivar, të ndjerit H. Qani Baftjari! Pse? Sepse ky ishte luftëtar i paepur i hipokrizisë alla-shaqiriane!
Çfarë ka ndodhur realisht në këtë “vizitë urimi”? Rektori i universitetit ia paska qarë hallet Shaqirit! Një rektor, përfaqësuesi më i lartë akademik i një institucioni të arsimit të lartë, i hap shpirtin një personazhi me të kaluar të përlyer e të diskredituar. Dhe çfarë ndodh më pas? Ky i fundit, Shaqiri, “premton ndihmë”! Çfarë mund të premtojë dikush që vetë është simbol i përçudnimit të vlerave arsimore, shpirtërore e kombëtare? Vetëm një gjë: vazhdimin e dekadencës.

Bashkëpunim për “përmirësimin e cilësisë”?

Kur dy institucione me cilësi kadrovike të diskutueshme për ç’gjë edhe ankohen nw mes vete, flasin për përmirësim të cilësisë, nuk mund të presim gjë tjetër përveç përkeqësimit të mëtejshëm. Është si të kërkosh shëndet nga dy spitale që mbijetojnë me mjekë të diplomuar me miqësi e ryshfete. Nuk është aspak bashkëpunim për avancim, por bashkëpunim për mbijetesë në kaos dhe mediokritet të garantuar.
Nëse vetë pranojnë që cilësia është e dobët dhe kërkojnë ndihmë nga një tjetër institucion me të njëjtin problem thelbësor, atëherë nuk kemi të bëjmë me përpjekje për përmirësim, por me një marrëveshje të pashkruar për ruajtje të status quo-së. Është marrëveshje për ruajtjen e rehatisë së individëve që i shërbejnë sistemit të dekadencës dhe jo të dijes.

Universiteti duhet të zgjohet!

Universiteti “Nënë Tereza” ka një detyrë të shenjtë: të ndërtojë vetëdijen, të nxisë dijen dhe të kultivojë ndershmërinë. Për këtë mision është themeluar. Për këtë mision është angazhuar aq shumë lideri shqiptar Ali Ahmeti! Nuk mund ta arrijë këtë duke hapur dyert për figurat që përfaqësojnë të kundërtën e këtyre vlerave. Nuk mund të bashkëpunojë me të kaluarën e errët dhe të pretendojë se po ndërton një të ardhme të ndritur.
Ftohet publikisht udhëheqësia e këtij universiteti të mos përulen më përballë atyre që kanë qenë simbol i përndjekjes dhe spiunimit të më të mirëve tanë. Ftohet me zë të lartë që në këtë Universitet të mos hyjë më kurrë Shaqir Fetai, për të mos fyer një emër të madh si Nënë Tereza, për të mos shtuar edhe një njollë në një realitet tashmë të rënduar akademik.
Dhe nëse ndonjëherë drejtuesit e këtij Universiteti vendosin të ftojnë dikë që përfaqëson vuajtjen, që përfaqëson qëndresën dhe dinjitetin, le ta ftojnë Dr. Nexhat Ibrahimin – një njeri që i ka mbijetuar spiunimit të Shaqir Fetait, një zë që akoma klith nga plagët e asaj kohe:
“Shaqo, mos harro, ti ke qenë spiun i UDB-së!”
Universiteti duhet të vendosë: ose të jetë tempull i dijes, ose kazerma e turpit. Nuk mund të jetë të dyja njëkohësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *