Skandalet përshpejtojnë degjenerimin

Llojet e ndryshme të skandaleve mund të flasin për paaftësi apo edhe për veprime të qëllimshme shkatërrimtare. Skandalet financiare janë më të rrezikshme, ndaj, shoqëritë kanë menduar për një institucion: policinë financiare e cila i kreh institucionet, firmat, organizatat, shoqatat etj. Skandalet përshpejtojnë degjenerimin, shkatërrimin e gjithçkafit të ndërtuar me djersë, gjak e mund

Nga Mevlude Bajrami

Vite më parë, mediat e vendit informuan për kapjen e “reis” Shaqir Fetait me një shumë prej 700 mij euro në pikën kufitare “Tabanoc” duke kaluar për në Serbi! Kurrë as nuk u demantua lajmi por as nuk pati ndonjë informim shtesë zyrtar. Kohë më parë, njëri prej myftive të Shaqir Fetait na qenka kapur në aeroport të Shkupit me mbi 20 mij euro, kurse këto ditë policia financiare i paska “rënë në qafë” njërit “shef të financave” të një organi të Institucionit që drejton Shaqir Fetai. Nga brenda BFI-së flitet se ekzistojnë fletore të tëra me shënime ku janë evidentuar personat që kanë marrur hua e që kurrë nuk i kanë kthyer në arkën e BFI-së. U shkrua se në njërin objekt të një myftiu të Shaqir Fetait u gjet “mallëra haram” dhe për këtë nuk u raportua se u morën masat konkrete. Miliona euro u humbën nga mosrealizimi i qendrës tregtare në mes të Gostivarit, nga mosrealizimi i selisë së BFI-së në Kala të Shkupit, nga mosndërtimi i Hotelit si dhe nga zhvatja e banesave nga kompleksi i banesave në vakëfin e BFI-së, ish-Komunaleci.
Një skandal i tmerrshëm është edhe keqmenaxhimi me bonot në vlerë të cilat ishin mjete të dedikuara për kthimin e vakëfit nga ai vakëf i cili nuk u denacionalizua. Të gjitha u shpenzuan për qejfe e ahengje, për lluks-iftare e për shëtitje aristokrate.
Një tjetër problem i trishtueshëm është edhe keqpërdorimi nga pozita zytrare i makinave zyrtare të cilat janë përdorur edhe për shëtitje të familjeve nëpër pushime verore. Natyrisht, keqpërdorim dhe shëtitje private llogaritet edhe shkuarja në shtëpi apo ardhja në punë me makina zyrtare, ndërkohë që shpenzimet e rrugës paguhen në çdo organizatë. Paramendoni dy-tre makina zyrtare të BFI-së sa naftën e kanë harxhuar duke i bartur te poshtë e përpjetë zhvatësit, të cilët, pas orarit të punës makinat zyrtare duhet t’i lënë në oborr të Institucionit. Rreth 2000 litra naftë (bensin) për një makinë i kanë shpenzuar për një vit vetëm në rrugën Shkup-Gostivar. Për pesë vite njëra makinë ka shpenzuar mbi 10 ton naftë, edhe tjetra po kaq! Më shumë se 20 ton naftë janë shpenzuar në rrugën Shkup-Gostivar me makinat zyrtare, të cilat guxojnë të preken vetëm gjatë orarit të punës dhe në udhëtim zyrtar! A ka guxim të na thotë dikush se sa është çmimi i realtë i haxhit, sa shpenzohen e sa fitojnë njerëzit e Shaqir Fetait. Pse nuk bëhen kurrë publike kontratat që nënshkruhen për dhe gjatë haxhit? Pse vazhdimisht thuhet se do të publikohen emrat e atyreve që paguajnë kurbana ndërsa madje nuk dihet as sa therren e ku shkojnë! Pse nuk ka falënderim publik edhe për ata që paguajnë zeqat si për ata që falin vakëfe?! Toka, objekti, nuk futet në xhep, ajo shihet, ndërsa paratë futen në xhep e “i ha ujku”!
Skandal i trishtë ishte edhe publikimi i informatës se Shaqir Fetai ka pagën mujore prej 7500 euro! Shaqir Fetai këtë asnjëherë nuk e demantoi, nuk e pa të udhës që “ta udhëzojë” gazetarin dhe ta demantojë duke ia nxjerrur dhe bërë publike pasqyrën e rrogës që të dihet një herë e mirë se sa paguhet ai. Ndërsa ky e zgjodhi rrugën e “padisë për shpifje” dhe zgjidhjen e problemit me gjyq. Gjykimet janë shumë të kushtueshme, kurse Shaqir Fetai në proces ka me dhjetra gjykime! Kjo flet se ai është pa forcën e argumentit, është pa forcën e zgjidhjes së problemeve përmes bisedave vëllazërore, pa dëshirën dhe gatishmërinë e transparencës, ashtu siç duhet t’i ketë hije një fetari! Shaqir Fetai paguan shuma parashë marramendëse për gjykime e për avokatë, por ama asnjë lek nuk e ka nga xhepi i vet. Ai mundohet që ta shplajë fytyrën e vet të zezë përmes parave të BFI-së, të grumbulluara nga anëtarësia, fitri e zeqati si dhe nga kontributet e ndryshme të myslimanëve të vendit.
Skandal për burgosje të menjëhershme është edhe çmimorja për shërbimet fetare që po qarkullon këto ditë në opinion. Myslimani paguan anëtarësi, paguan, fitrin, zeqatin, jep çdo xhuma para në hasër dhe, nëse vdes, duhet të paguajë plus para nëse dëshiron t’i këndohet “temxhiti”! Vëllezërit myslimanë falin toka për varrosjen e myslimanëve, ndërsa “organet” e Shaqir Fetait varrezat i shesin, madje me një shumë të papërballueshme për myslimanët e vendit.
Të gjitha këto skandale si dhe një sërë skandalesh të tjera që do të mund të zbardheshin nga një kontroll i policisë financiare, flasin për një moment vendimtar, për një nevojë imediate për reforma të thella në këtë Institucion, duke i kapur zhvatësit, madje edhe ata zhvatës që i vodhën bursat e studentëve, me qëllim që të shpëtojë ky Institucion të cilit i duhen vite e vite zhvillim që të vie në derexhenë ku ishte para se ta kapin këta hajna të pangopshëm. Ata që lejojnë që zhvatësit të rrinë në krye të këtij Institucioni, ata që lejojnë që të fusin brenda hajna të paskrupullt, ndërkohë pa iu nënshtruar “vetingut” të policisë financiare, të gjithë ata në fakt e përceptojnë BFI-në si bahçe pa Zot ku mund të zhvatet e vidhet pa pësuar kurrfarë pasojash! Zhvatësit dhe hajnat as qe duhet ta kenë guximin se mund ta drejtojnë BFI-në, ndërkohë që dihet se çfar dëmi finansiarë, moral e shoqëror i kanë shkaktuar të shkretes BFI. Koha është për veprime e vendime të mençura, kombëtarisht të pjekura dhe fetarisht të pranueshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *