SHBA sanksionon kompani venezueliane dhe nipat e presidentit Maduro

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tre nipave të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, në një kohë tensionesh të shtuara mes Karakasit dhe Uashingtonit.

Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) pranë Departamentit të Thesarit sanksionoi gjithashtu gjashtë kompani transporti detar që operojnë në sektorin e naftës në Venezuelë.

OFAC identifikoi edhe gjashtë anije që, sipas njoftimit, janë përfshirë në praktika mashtruese dhe të pasigurta të transportit dhe vazhdojnë të sigurojnë burime financiare që ushqejnë regjimin e korruptuar narko-terrorist të Maduros.

Franqui Flores, Carlos Flores dhe Efrain Campo, të tre nipër të bashkëshortes së Maduros, Cilia Flores, tani nuk do të kenë më qasje në pasuri ose asete në SHBA, ndërsa kompanive amerikane u ndalohet të bëjnë biznes me ta.

Sanksionet vijnë një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se trupat amerikane kishin marrë nën kontroll një anije në Karaibe.

Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel thanë se tankeri ishte pjesë e një rrjeti të paligjshëm transporti nafte që mbështeste organizata të huaja terroriste.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një deklaratë se “Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij në Venezuelë po përmbytin Shtetet e Bashkuara me drogë që po helmon popullin amerikan”.

“Në drejtimin e presidentit Trump, Thesari po mban përgjegjës regjimin dhe rrethin e tij të krimit për shkeljet e vazhdueshme”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *