Shaqir Fetai publikisht po mbledh haraç në emër të Medresesë

Më 24 prill 2025, instalacioni i shërbimeve të huaja në krye të BFI-së, Shaqir Fetai, i shoqëruar nga marionetat e tij u takua me Ministren e Arsimit dhe Shkencës, znj. Vesna Janevska. Ky takim, i mbuluar nga një heshtje e çuditshme institucionale, nuk u publikua as në faqen e Shaqir Fetait e as nga vetë ministria (u publikua një lajm tepër i thatë në “paçavurën” e BFI-së, me një foto ku delegacioni përpara ka nga një filxhan kafe dhe asnjë fletë të bardhë për shënime!!!). Dhe kjo heshtje nuk është rastësi – është dëshmi se takimi nuk kishte asnjë peshë, asnjë vendim real dhe asnjë qëllim për të mirën e Medresesë apo të arsimit islam në vend. Ndryshe, Shaqir Fetai në FB-un e vet nuk lë takim me “haxhi babat” pa publikuar dhe pa i shitur si aktivitete të rëndësishme “fetaro-kombëtare”!

Në fakt, ky ishte thjesht një tjetër akt i teatrit të lodhur të Shaqir Fetait për të mbuluar dështimet, mashtrimet dhe manipulimet që vazhdimisht i bën opinionit dhe popullatës besimtare. Ai që dikur u prezantua si “reformator” (ky farë avdalli edhe rregullimin e WC e trajton si “reformë institucionale”), sot ka degraduar në një menaxher të mjeruar të një rrjeti manipulativ, ku në emër të “Medresesë Isa Beu”, vazhdon të vjelë taksa fetare nga xhemati, për një institucion që de facto nuk ekziston më siç ka ekzistuar – me status, me program arsimor të akredituar dhe me të drejtë ligjore funksionimi si shkollë e mesme profesionale dedikuar shkollimit të kuadrit teologjik për nevojat e BFI-së.

Çfarë fshihet pas “harmonizimit të programeve”, që na paska dalur si “nevojë imediate” në këtë takim? Nga burime jozyrtare, por të besueshme, kuptohet se Shaqir Fetai nuk ka kërkuar në takim akreditim të Medresesë, sepse tashmë kësaj pune “i ka vdekur nana”! Jo, ai nuk ka guxuar as të hapë temën e akreditimit të një institucioni që dikur ishte krenaria e arsimit fetar në vend. Në vend të kësaj, është diskutuar shkarazi, pa ndonjë koncept të qartë, për një “harmonizim të programeve” të një shkolle private që e mban emrin e Medresesë sa për ta manipuluar publikun.

Kjo është tallje e hapur me inteligjencën e popullit dhe me ndjenjat e atyre që kontribuojnë financiarisht në emër të një ideali arsimor islam që nuk ekziston më. Në vend se të kërkojë të drejtën për akreditim dhe për t’i kthyer Medresesë statusin që i takon, Shaqir Fetai zgjodhi të bëjë pazare politike për të siguruar heshtjen e institucioneve shtetërore ndaj mashtrimit të tij.

Ajo që dikur ishte një qendër e përgatitjes së elitës fetare islame, sot është kthyer në një “franchise” private, pa status të qartë ligjor, e pa të drejtë certifikimi, por që gjithsesi vazhdon të përfitojë miliona denarë në vit nga taksat fetare, nga kontributet e xhematit dhe nga ndihmat humanitare që derdhen në emër të shkollimit të fëmijëve në rrugën e fesë.

Kush mban përgjegjësi për këtë? Askush. Sepse Shaqir Fetai ka ndërtuar një sistem autokratik brenda BFI-së, ku llogaridhënia është zero, ndërsa propaganda – maksimalisht humoristike!

Përderisa vendet përreth po avancojnë sistemet e tyre arsimore fetare me mbështetje shtetërore dhe transparencë institucionale, BFI-ja nën drejtimin e Shaqir Fetait ka hyrë në rrugën e kapjes dhe të manipulimit të pastër. Ai hesht për akreditimin, sepse një Medrese e akredituar do të thotë transparencë, rregull, standarde – dhe këto janë fjalë të ndaluara në fjalorin e tij të sundimit.

Mungesa e publikimit të këtij takimi si në FB-un personal të Shaqir Fetait ashtu edhe në faqen zyrtare të Ministrisë gjegjëse, flet shumë: nuk ka asnjë sukses për të promovuar, nuk ka asnjë marrëveshje për të njoftuar, nuk ka asnjë rezultat për të ndarë me opinionin. Ka vetëm një fasadë boshe, një takim për fotografi, një përpjekje për të ricikluar imazhin e një figure që po fundos çdo vlerë që përfaqësonte dikur kjo Bashkësi.

Të gjithë ata që kanë derdhur mund, para, djersë dhe përkushtim për Medresenë “Isa Beu”, duhet të kërkojnë llogari publike. Duhet të ngrihen zëra që e detyrojnë këtë “kryetar” të shpjegojë: a është Medreseja e akredituar, apo thjesht një mashtrim i radhës? A po përgatiten kuadro për të ardhmen, apo po shiten iluzione për të mbushur arkën e BFI-së dhe për të mbajtur në pushtet një klikë të vogël dhe të korruptuar?

Nëse nuk ka më Medrese – atëherë ndaloni së përdoruri emrin e saj për të zhvatur popullin! Nëse ka ende ndershmëri – atëherë publikoni programin, statusin, vendimet dhe marrëveshjet për akreditim të Medresesë tradicionale “Isa Beu”!

Deri atëherë, çdo fjalë që vjen nga goja e Shaqir Fetait mbi arsimin islam duhet të trajtohet si manipulim i pastër, me pasoja afatgjata për brezat që vijnë. /LMR në BFI/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *