Rritja e fluksit të veturave nëpër rrugët e Kosovës gjatë sezonit të verës, edhe numri i shtuar i aksidenteve, kanë ndikuar që Policia e Kosovës t’i shtojë masat e sigurisë dhe patrullimin. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 54 për qind e viktimave gjatë aksidenteve me fatalitet janë shoferët, ndërsa 30 për qind këmbësorët.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në maj të vitit 2025, kanë ndodhur 28 aksidente me fatalitet, ku kanë humbur jetën 32 persona, ndërkaq në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 3 aksidente më pak. Policia e Kosovës apelon te të gjithë shoferët për kujdes të shtuar gjatë vozitjes, sidomos që të respektojnë shenjat rrugore, kushtet e rrugës dhe dispozitat e tjera ligjore që rrjedhin nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuojë në zvogëlimin e aksidenteve, që shpesh po rezultojnë me pasoja fatale.
Ndërkaq, Nol Dedaj, ekspert i trafikut, vlerësoi për Radio Kosovën se faktori kryesor i aksidenteve me fatalitet është faktori njeri dhe shpejtësia e pa kontrolluar.
“Rastet konkrete që kanë ndodhur ditëve të fundit kemi të bëjmë me faktorin njeri ku kemi të bëjmë me tejkalim të shpejtësisë. Mbetet edhe faktori rrugë në qoftë se elementet rrugore nuk i plotësojnë kriteret e sigurisë shpeshherë ndikojnë në aksidentet me fatalitet”, tha ai.
E njësitet patrulluese të rendit, të trafikut dhe ato në autostradë, vazhdojnë aktivitetet e shtuara në terren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve. Vetëm në 24 orët e kaluara nga policia janë shqiptuar 2290 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme. Dedaj thotë se shqiptimi i gjobave nuk është zgjidhje e këtij problemi. Sipas tij, edhe autoshkollat kanë dështuar ne aftësimin e shoferëve të rinj.
“Mos harroni se nuk mund të ketë policë trafiku sa ka shoferë. Edhe mbikëqyrja dhe menaxhimi i komunikacionit nuk bëhet me shqiptimin e gjobave por duhet me u marr me edukimin e shoferëve sidomos të atyre të moshës së re. Autoshkollat kanë dështuar në edukimin e shoferëve sepse po e shohim se kandidatët futen në pjesën praktike pa e përfunduar pjesën teorike”, shtoi ai .
Megjithatë nga Policia e Kosovës thonë se vendosja dhe mbajtja e një sigurie më të madhe në trafik, kërkon kryesisht vetëdijesim të të gjithë pjesëmarrësve në trafik në veçanti vetëdijesim të drejtuesve të automjeteve që rezultojnë të përbëjnë rreth 54% të viktimave në rastet e aksidenteve me fatalitet, dhe rreth 30% të viktimave që kanë humbur jetën në këto aksidente kanë qenë këmbësorë.