Rrëshqitja e BFI-së drejt një identiteti të rrezikshëm politik e ideologjik

Koha e Fatmir Shehollave duhet të përfundojë njëherë e mirë, sidomos në BFI të RMV-së!

Nga Albion Memia

Në historinë moderne të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, rrallëherë është shënuar një përqendrim kaq i papërgjegjshëm i pushtetit, arrogancës dhe devijimit të misionit fetar siç po ndodh me udhëheqjen aktuale të Shaqir Fetait. Më shumë se një lider fetar, ai po shfaqet si një instalacion politik, një vegël e devotshme në duart e strukturave që kanë pak ose aspak lidhje me interesat e myslimanëve shqiptarë, qoftë në RMV, qoftë në diasporë.
Në vend që të shërbejë si faktor unifikues i komunitetit mysliman, Fetai ka përçarë, fragmentarizuar dhe instrumentalizuar këtë komunitet për ambicie personale dhe lojëra politike ditore. Ai ka kthyer BFI-në nga një institucion i respektuar fetar në një platformë për propagandë dhe ndikim ideologjik që alarmon edhe qarqet ndërkombëtare.

Nga krenaria në cinizëm fetar

Rrënjët e këtij devijimi qëndrojnë në një frymë të rrezikshme krenarie dhe mendjemadhësie që Fetai tashmë nuk e fsheh. Në vend që të përfaqësojë përulësinë, maturinë dhe udhëheqjen shpirtërore që i ka borxh komunitetit mysliman, ai shfaqet si një administrator pushteti, krenar për ndikimin që ka mbi politikanët shqiptarë (!), qoftë në bllokun e Ali Ahmetit, qoftë në atë të Izet Mexhitit. Manipulimi i këtyre dy blloqeve me retorikë fetare është dëshmi se Fetai po e përdor fenë si trampolinë për ndikim politik, e jo si mision për drejtësi sociale e shpirtërore.

Përhapja e radikalizmit dhe eksportimi i tij

Më alarmuese është fakti se edhe mediat prestigjioze zvicerane kanë filluar të shkruajnë për praninë e radikalizmit në disa qendra islame shqiptare në Zvicër, të lidhura drejtëpërdrejt me BFI-në e RMV-së. Këto shqetësime nuk vijnë nga paragjykime perëndimore, por nga indikacione konkrete se Fetai dhe struktura të lidhura me të po eksportojnë ideologji të ashpra dhe jo përfaqësuese për një islam shqiptar tradicional, të moderuar dhe të integruar në shoqëri.
Në vend që të jetë një zë i urtësisë shqiptare myslimane në diasporë, ai po kontribuon në një narrativë të huaj, e cila synon ta paraqesë myslimanin shqiptar si të prirur ndaj ekstremizmit. Kjo është një goditje e rëndë ndaj gjithë sakrificës së diasporës që për dekada është përpjekur të ruajë identitetin pa rënë në kurthin e ideologjive të huaja e destruktive.

BFI si institucion i defaktorizuar dhe i kapur

Nën drejtimin e Shaqir Fetait, BFI ka humbur jo vetëm pavarësinë e saj, por edhe legjitimitetin moral dhe institucional. Është shndërruar në një platformë ku nuk dëgjohet më zëri i imamëve të mençur, as i komunitetit besimtar. Ai nuk përfaqëson më fenë islame si urë ndërlidhëse mes shpirtit dhe realitetit të jetës së përditshme, por e ka zëvendësuar atë me një burokraci arrogante që udhëhiqet nga interesa të ngushta personale e politike.
Ajo që e bën këtë situatë edhe më tragjike është heshtja, ose më keq, pajtimi i shumë aktorëve politikë shqiptarë që i shërbejnë Fetait në heshtje, ose i përkrahin publikisht për përfitime të ndërsjella. Kjo është një tradhti ndaj vetë besimit të tyre dhe ndaj komunitetit që pret udhëheqje morale, jo kalkulime politike.

Koha për vetëdijësim dhe distancim

Komuniteti mysliman shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë ka nevojë urgjente për reflektim. Nuk mund të lejohet që përfaqësimi fetar të mbetet në duart e një njeriu që jo vetëm që ka dështu, por po e përdor pozitën për të minuar unitetin shoqëror dhe për të kultivuar një identitet fetar të huaj për shqiptarët.
Është koha që imamët e ndershëm, intelektualët, dhe vetë komuniteti të kërkojnë llogari, të flasin hapur dhe të distancohen nga çdo formë radikalizmi dhe manipulimi që vjen nën petkun e fesë. Islami shqiptar nuk ka nevojë për udhëheqës që e përdorin fenë si maskë për pushtet. Ka nevojë për njerëz me zemër të pastër, me dije të thellë, dhe me përkushtim ndaj vlerave të vërteta të fesë.
Koha e Fatmir Shehollave duhet të përfundojë njëherë e mirë, sidomos në BFI të RMV-së!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *