Editorial i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI
Çfarë ndodh me një popull që udhëhiqet nga njerëz që kanë ndërtuar karrierën mbi gënjeshtrën? Populli në fjalë fillon të humbasë busullën morale, normën etike dhe rezistencën qytetare. Shaqir Fetai është shembulli i gjallë i kësaj patologjie
Nga të gjitha deklaratat e pakuptimta që jemi mësuar të dëgjojmë nga Shaqir Fetai, ajo e fundit,e paraqitur si një lloj “moto personale”: “Ngushtimi i mendimit të lirë shënon fillimin e rënies së një populli ose shoqërie”, është ndoshta kulmi i cinizmit. Sepse, nëse ka ndokush në skenën publike shqiptare në Maqedoninë e Veriut që e ka ngushtuar, zvetënuar dhe deformuar mendimin e lirë nëpërmjet propagandës dhe manipulimeve, ai është vetë Shaqir Fetai.
Madje edhe vetë zgjedhja e fjalës “ngushtim” është tregues i mendësisë së paqartë, pa rrënjë konceptuale dhe të shkëputur nga realiteti intelektual. Pse “ngushtim”? Çfarë është kjo fjalë e mjegullt? A nuk do të ishte më e ndershme të përdorte termin “kufizim”? Jo, sepse atëherë do të zbulohej edhe vetë struktura e meme-s të tij: një përpjekje për të relativizuar të vërtetën, për ta larë fytyrën e vet dhe për t’u shfaqur si “mbrojtës i lirive”, ndërkohë që vetë përfaqëson një instalacion të errët të shërbimeve të dyshimta në institucionin që dikur quhej me nder Bashkësia Fetare Islame.
Është pikërisht Fetai ai që predikon për “unitet” në çdo dalje publike, ndërkohë që nuk lë gur pa lëvizur për të thelluar përçarjet brenda BFI-së. Si “engjëll i paqes”, ai flet për harmoni, por nuk lë pa mbështetur tentativat e copëtimit të organeve të institucionit që udhëheq, duke e inkurajuar shkëputjen e segmenteve të tëra nga struktura qendrore dhe duke e mbështetur de facto “pavarësinë” e tyre. Si mund të besojë kush në fjalën e një njeriu që njëkohësisht flet për bashkim dhe nxit ndarjen?
Ai fotografon “unitetin” në profilet e tij mediatike, ndërkohë që terreni i fakteve flet ndryshe: xhami të reja po shfaqen që nuk janë as të regjistruara e as të kontrolluara nga BFI, por që funksionojnë si institucione paralele. Çdo ditë e më shumë, komuniteti mysliman po fragmentohet – jo për shkak të ndonjë krize ideologjike, por për shkak të boshllëkut moral dhe autoritarizmit pa autoritet të vetë Shaqir Fetait.
Një tjetër akt i paturpësisë së tij ishte edhe kur, për të rritur kredibilitetin e vet ndërkombëtar, deklaroi me bujë se ishte vizituar nga një “delegacion i lartë i myslimanëve të botës”. Në realitet, vizitorët në fjalë ishin misionarë të agjendave pro-Kremlinit, të lidhur drejtpërdrejt me fushata propagandistike për të fituar simpati në prag të agresionit rus kundër Ukrainës. Shaqir Fetai nuk u shqetësua për këtë përplasje morale, sepse gënjeshtra, për të, është armë pune, jo lapsus.
Vitin e kaluar e gënjeu publikisht opinionin se na qenka akredituar Medreseja, ndërsa ditë më parë publikisht i falënderoi faktorët që sapo na e paskan miratuar Ligjin për shkollat e mesme fetare, sipas të cilit edhe akreditohen këto shkolla profesionale fetare.
Çfarë ndodh me një popull që udhëhiqet nga njerëz që kanë ndërtuar karrierën mbi gënjeshtrën? Populli në fjalë fillon të humbasë busullën morale, normën etike dhe rezistencën qytetare. Shaqir Fetai është shembulli i gjallë i kësaj patologjie: një figurë që jo vetëm e përdor rrenën si armë, por e ka ngritur atë në formë të “religjionit” të tij personal. Kur njeriu që duhet të predikojë sinqeritetin, drejtësinë dhe moralin shndërrohet në fabrikues profesionist të gënjeshtrave, çfarë mesazhi u jepet besimtarëve dhe shoqërisë në përgjithësi?
Fetai nuk është vetëm një individ me ambicie të sëmura personale. Ai është produkt dhe njëherësh mjet i një strukture më të madhe që ka kapur institucionin fetar për qëllime krejtësisht të jashtme e të dyshimta. BFI, nën drejtimin e tij, është kthyer në një zgjatim të agjendave të errëta që nuk kanë asnjë lidhje me nevojat shpirtërore, edukative apo morale të komunitetit mysliman në RMV. Dhe kur një institucion që duhet të jetë strehë e së vërtetës, shpresës dhe udhëzimit shndërrohet në qendër të përpunimit e të manipulimit, atëherë vetë shoqëria rrezikon të shembet nga brenda.
Kjo hipokrizi nuk është vetëm e neveritshme, por është edhe rrezik kombëtar. Sepse ajo ushqen pasivitet, nxit nënshtrim, dhe më e keqja: e kthen gënjeshtrën në normë. Dhe kur gënjeshtra bëhet normë, atëherë drejtësia s’ka më kuptim.
Prandaj, është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë qytetare dhe morale që kjo hipokrizi të kundërshtohet me zë të lartë. Të gjithë ata që besojnë në të vërtetën, në lirinë e mendimit dhe në pastërtinë e fesë, duhet të ngriten kundër këtij mashtrimi të institucionalizuar. Sepse vetëm duke u përballur me të vërtetën, pa frikë dhe pa kompromis, një popull mund të shpresojë të mos bjerë në greminën ku po e shtynin figurat si Shaqir Fetai.