Tek shqiptari gjithmonë ka qenë normë e pashkruar: ulja këmbëkryq me spiunin është baraz me tradhti. Nuk ka oqean që e shpëlan këtë njollë. Historia jonë, tradita jonë morale, e ka ndëshkuar gjithmonë bashkëpunimin me armikun, jo vetëm në rrafshin juridik, por në atë etik
Nga Nuri Baftijari
Prej kohësh, emri i Shaqir Fetait është bërë sinonim i turpit institucional dhe moral në mesin e shqiptarëve. Tashmë, nuk është më sekret, por, është fakt publik, i dokumentuar dhe i pamohueshëm: ky njeri ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së famëkeqe, me pseudonimin ORAO, dhe ka spiunuar një nga mendjet më të ndritura të mendimit islam shqiptar, Prof. Dr. Nexhat Ibrahimi. E gjithë kjo nuk është më thjesht një akuzë, është një e vërtetë që i ka rënë si mallkim mbi ballin e Shaqir Fetait dhe që e ndjek kudo si hije e zezë.
Dhe këtu lind pyetja legjitime, pyetja që bërtet nga vetë ndërgjegjja kolektive e çdo shqiptari që ka dinjitet: përkundër faktit që tashmë e tërë bota shqiptare di për Shaqir Fetain si spiun i UDB-së, atëherë çfarë e shtyn këtë njeri, të damkosur nga mëkati i tradhtisë, të futet dhunshëm në mesin e njerëzve të ndershëm?
Pse ky person, që duhej të kishte zgjedhur vetminë dhe reflektimin si një lloj pendese, përkundrazi, insiston të shfaqet në publik, të ftohet në takime, të kërkojë përqafime, darka, oda e vizita?
Pse ky njeri, që u tregua i gatshëm ta shesë mendimin dhe lirinë për një kockë nga UDB-ja, tani kërkon të ulet pranë mendimtarëve, intelektualëve dhe njerëzve me integritet sikur të jetë njëri prej tyre?
Përgjigjja është e thjeshtë dhe e frikshme: Shaqir Fetai është i pangopur me turpin! Ai është një nga ata individë që e ndien peshën e njollës së vet, por në vend që të tërhiqet në heshtje, kërkon ta shpërndajë ndyrësinë e tij, që të duket sikur të gjithë janë si ai. Ai është pasqyrë e asaj makutërie morale që përpiqet të barazojë poshtërsinë e vet me respektin e tjetrit, duke u ulur krah tij, me zor, me manipulim, me shantazh emocional apo institucional. Ai nuk kërkon t’i takojë të ndershmit, ai kërkon t’i përdorë ata si dekor për të fshehur fytyrën e vet të kalbur. Ai do të shfaqet përsëri në restorante, në oda, në takime, në kabinete, dhe do të përpiqet t’i detyrojë njerëzit të ndjehen “të obliguar” për ta pritur, për t’i dhënë dorën, për të buzëqeshur sa për fotografi, për ta përfshirë në diskutime, sepse ai e di se shumica janë njerëz me karakter, dhe pikërisht me këtë karakter ai luan si me dobësi.
Dhe as edhe një përqafim publik nuk do ta lajë këtë njollë. As edhe një vizitë në perëndim, as edhe një fotografi me personalitete të nderuara nuk do ta shpëtojë imazhin e tij.
Dhe për të gjithë ata që, nga mirësjellja, nga obligimet institucionale, nga presioni apo nga mungesa e guximit, e pranojnë praninë apo ftesën e tij, duhet ta dinë që çdo buzëqeshje ndaj tij është një thikë në shpinë për të gjithë ata që i ka dëmtuar, spiunuar, persekutuar.
Koha e heshtjes ka kaluar. Kjo kohë nuk mund të ngelë përjetë në grushtin e UDB-së. Tani është koha e zërit të lartë, të vërtetës së zhveshur dhe të ndarjes së qartë: O me të ndershmit, o me spiunët. Nuk ka më vend për maska.
Është e dhimbshme të shohësh se si njerëz me integritet, me moral të lartë dhe figura të respektuara në komunitet, pranojnë të ulen në të njëjtën tryezë me një person publikisht të njollosur si Shaqir Fetai.
Tek shqiptari gjithmonë ka qenë adet dhe normë e pashkruar: ulja këmbëkryq me spiunin është baraz me tradhti. Dhe më tutje, nuk ka oqean që e shpëlan këtë njollë. Historia jonë, tradita jonë morale, e ka ndëshkuar gjithmonë bashkëpunimin me armikun, jo vetëm në rrafshin juridik, por para së gjithash në atë etik. Dhe kush shfaqet sot krah për krah me një individ si Shaqir Fetai, qoftë në kabinete, në darka, në fotografi apo në vizita zyrtare, i jep këtij njeriu oksigjenin që ai e kërkon me dëshpërim: legjitimitetin moral. Sepse Shaqir Fetai e di që nuk e ka atë më, e ka humbur që kur ka firmosur për të spiunuar. Por ai kërkon ta marrë hua, të paktën në dukje, nga fytyrat e pastra që pranojnë të shfaqen pranë tij.
Ky është manipulimi më i madh: që një njeri me moral të fundosur të mbështillet me petkun e autoritetit përmes heshtjes dhe pranimit të të tjerëve. Dhe këta “të tjerët” që heshtin, që e pranojnë, që i buzëqeshin, që fotografohen me të, janë po aq fajtorë sa ai. Jo sepse kanë bërë ndonjë mëkat aktiv, por sepse janë bërë bashkëpunëtorë të heshtur të një morali të kalbur.
Pse ndodh kjo? Sepse shumëkush nuk ka guximin të përballet me një institucion të zhbërë nga brenda. Frikë nga përplasja, frikë nga etiketimi si përçarës, frikë nga dëmtimi i karrierës apo statusit shoqëror. Dhe kështu, heshtin. Të tjerë nuk duan të krijojnë bujë. Mendojnë se një përshëndetje apo një fotografi nuk i përfaqëson. Por gabohen. Sepse në sytë e popullit, një fotografi është deklaratë. Është aprovim. Është aleancë.
Një pjesë tjetër thjesht ka rënë në apatinë morale që ka prodhuar lodhja e përgjithshme kolektive. Po relativizojnë gjithçka. Mendojnë se e kaluara është e kaluar, se nuk ia vlen të ngresh zë për diçka që tashmë “është bërë”, dhe se nuk është punë e tyre të gjykojnë. Por kur bëhet fjalë për një spiun të dokumentuar të një shërbimi sekret që ka përndjekur shqiptarët dhe myslimanët për dekada, heshtja nuk është neutralitet, është bashkëfajësi.
Kur një burrë i ndershëm ulet pranë një spiuni të njohur, ai nuk përfiton asgjë. Përkundrazi: ai humb dinjitetin. Ai e fyen kujtimin e atyre që janë viktimizuar nga spiunimet. Ai e përdhos mundin e mendimtarëve të burgosur, të përndjekur, të ndjekur në çdo hap. Ai u jep një shpullë morale të gjithë atyre që nuk pranuan kurrë të uleshin me bashkëpunëtorin, edhe pse shpesh kjo u kushtoi shumë. Ai, pa dashje, e barazon veten me të.
Dhe më e frikshmja është se kështu prodhohet një tjetër krisje në ndërgjegjen kolektive shqiptare: u jepet brezave të rinj mesazhi se moraliteti është zbukurim fakultativ, jo shtyllë identitare. U tregohet se mund të jesh i njollosur, por nëse je në krye të një “institucioni”, mjafton një kafe me të ndershmit që të fshihen gjurmët. Ky është shembulli më i keq që mund t’u japim atyre që ende nuk kanë formuar kurrizin moral.
Në fund, gjithçka zë fill nga një fakt i thjeshtë por i pakundërshtueshëm: nuk ka oqean që shpëlan njollën e një spiuni. Dhe ai që ul kokën dhe e pranon afërsinë me të, nuk është më viktimë, është zgjedhje. Zgjedhje që e vendos përfundimisht përballë të vërtetës morale të këtij populli: O je me të ndershmit, o je me spiunin. Nuk ka më vend për maska.