Rënia e paralajmëruar e BFI-së nën Shaqir Fetain

Shaqir Fetai është një sabotues pasiv, një shembull i gjallë i dekadencës morale dhe menaxheriale. Ai është shkatërrimi që ecën mbi këmbë

Nga Mahir Rexhepi

Ka një kufi ku retorika qesharake e një njeriu që s’e di as vetë çfarë përfaqëson, kalon në një fazë të rrezikshme: bëhet platformë shkatërruese për tërë një institucion. Dhe kur ky institucion është Bashkësia Fetare Islame – një organizatë që përfaqëson ndjeshmërinë shpirtërore, arsimore dhe kulturore të një komuniteti të tërë – atëherë përmasat e dëmit bëhen kolosale. Në krye të kësaj tragjedie të heshtur, që po ndodh çdo ditë para syve tanë, qëndron një njeri që as nuk e njeh përgjegjësinë, as nuk e ndjen peshën e saj, por përkundrazi – krenarisht e përqafon plogështinë dhe moskompetencën si virtyte udhëheqëse.
Deklarata e Shaqir Fetait – “u kenaqa duke ndejtur, të gjitha punët po m’i kryejnë këta djem të rinj nga stafi im” – nuk është një shaka naive e thënë mes shokësh të afërt. Është një skandal institucional i nivelit më të rëndë, një dëshmi publike e dorëzimit të drejtimit të një komuniteti të tërë në duart e një grupi të ashtuquajtur “djem të rinj”, që në realitet janë amatorë pa përgatitje, analfabetë funksionalë të bindur politikisht dhe personalisht ndaj liderit të tyre që është analfabet funksional edhe më i madhë se vetë marionetat e tij që u ka dhënë pushtet të pamerituar.
Një lider që vetëdeklarohet i “kenaqur duke ndejtur”, që nuk punon, që nuk përpiqet, që nuk udhëheq, por thjesht sheh të tjerët (në rastin më të keq më të paditurit dhe më të paaftët) të marrin frenat e një institucioni, nuk është lider. Ai është një sabotues pasiv, një shembull i gjallë i dekadencës morale dhe menaxheriale. Ai është shkatërrimi që ecën mbi këmbë. Në një kontekst tjetër, një deklaratë e tillë do të mjaftonte për shkarkimin e menjëhershëm nga çdo post publik apo fetar. Por në këtë realitet të deformuar të BFI-së, kjo arrogancë e turpshme përkthehet si “urti e një të madhi”.
A ka nevojë për më shumë prova për të kuptuar pse BFI është e paralizuar institucionalisht, e përfshirë në skandale financiare, përçarje të brendshme dhe në një krizë të thellë identiteti? Jo. Mjafton të dëgjosh këto fjalë. Mjafton të shohësh një “reis” që, në vend të vetëdijes për peshën që mban, zhytet në rehatinë e dembelizmit dhe e paraqet atë si model drejtimi.
Por, sikur të mos mjaftonte ky vetëposhtërim, ai përbuz edhe mendjen e të rinjve që formohen në institucionin kyç të arsimit islam në vend – Medresenë Isa Beu. Në vend që t’i frymëzojë të punojnë për të qenë dijetarë të mirë, mësues të përkushtuar, kontribuues të komunitetit në forma të ndryshme, ai del para tyre dhe u thotë: “Të gjithë ju duhet të synoni të bëheni reisul-ulema. Nëse nuk ëndërroni për këtë, asgjë nuk keni arritur në jetë.”
Ky është kulmi i egoizmit patologjik dhe një simptomë e rëndë e një sëmundjeje që po gërryen institucionin nga brenda: ideja që gjithçka duhet të përqendrohet rreth një personi, një posti, një figure të vetme. Është një qasje që zhduk pluralizmin, ndalon meritokracinë, vret çdo motiv për shërbim dhe promovon servilizmin si rrugë të vetme për “sukses”. Për çfarë tjetër është ky mesazh, përveçse një tentativë për të kultivuar idenë se në BFI nuk ka vend për të ndershmit, por vetëm për ata që synojnë fronin, për ata që i përshtaten modelit të vetë Shaqir Fetait?
Le të ndalemi dhe të reflektojmë për një moment. Çfarë institucioni fetar edukon 50 maturantë me mesazhin se suksesi i vetëm në jetë është të bëhesh lider i atij institucioni? Ku është shërbimi, ku është sakrifica, ku është përulësia islame, ku është ideali i umetit? Kjo është filozofia e një lideri të cilit nuk i intereson as feja, as edukimi, as komuniteti – por vetëm mbijetesa e vet në pushtet, përmes rrjetit të “djemve të rinj” që e mbajnë me lajka, manipulime dhe propagandë.

Në këtë pasqyrë të zymtë, shfaqet qartë angazhimi i vetëm i Shaqir Fetait: jo për ta reformuar, fuqizuar apo pastruar Bashkësinë Fetare Islame, por për ta shkatërruar plotësisht atë. Ngadalë, sistematikisht, në mënyrë të heshtur, por të qëllimshme. Nuk ka arsye tjetër pse një lider do t’u thoshte 50 maturantëve se të gjithë duhet të bëhen reisul-ulema, përveçse ai dëshiron ta zbrazë BFI-në nga çdo kuptim institucional dhe ta kthejë atë në një lavatriçe ambiciozësh të zbrazët, të dobishëm vetëm për mbajtjen në këmbë të një strukture klienteliste që e mban atë vetë në pushtet.
Kjo është agjenda e tij e vërtetë: as reforma, as përfaqësim, as besim. Vetëm rrënim. Dhe nëse dikush ende dyshon, mjafton të dëgjojë, të analizojë, të shohë. Fjalët e tij janë vetë dëshmia. Heshtja është bashkëfajësi. Koha për të thënë mjaft ka ardhur me kohë – por tani është koha për të vepruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *