Relativizimi i të vërtetës dhe “aktet historike” të Shaqir Fetait

Për vetë institucionin e Medresesë, “akt historik” ka qenë dhe mbetet themelimi i saj, që para katër dekadave. Akreditimet që vijnë pas, janë thjesht proces avansimi dhe harmonizimi institucional, jo ndonjë “shpëtim” që erdhi në kushte jashtëzakonisht të favorshme falë Shaqir Fetait

Nga Mejreme Hodaj

Në politikën shqiptare, sidomos në atë fetare të maskuar me flamuj të përkohshëm partish, ka kohë që fjala “akt historik” ka humbur kuptimin. Sot përdoret më shumë si dërrasë për të mbuluar baltën, sesa si ndërtim për të ngritur një mur kujtese. Dhe askush nuk e ka relativizuar në mënyrë më groteske të vërtetën se sa Shaqir Fetai, njeriu që, me një ngulmim qesharak dhe me një mungesë të dhimbshme konsistence morale, arrin të shpallë “akt historik” edhe një vendim qeveritar që nuk jetoi më shumë se një trohë kohe.
Fetai, me një zell që të kujton aktorë të vegjël në skena të mëdha, iu drejtua opinionit për të njoftuar se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut paska miratuar një ligj me të cilin shkollat fetare, përfshirë Medresenë, akreditohen dhe futen nën ombrellën e Byrosë për Arsim. Dhe, pa humbur kohë, e shpalli këtë si “akt historik”! Këtë epitet ia kishte vënë edhe vitin e kaluar një vendimi të ngjashëm të qeverisë teknike të Talat Xhaferit. Edhe atëherë brohoriti, uroi, falënderoi, përulësisht i bëri “për hajër” medresantëve, sikur po u hapte dyert e xhenetit.
Por, siç ndodh zakonisht me vendimet e bëra rrëmujshëm dhe për show – Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Dhe Fetai, që veçse kishte kënduar “Te Deum-in” institucional të vendimit, filloi t’i lutej po asaj Kushtetuese për “korrigjim”. Sepse, tha ai, bëhej fjalë për një “akt historik”! Pra, për të, historia nuk është më shumë se një kosh ku hidhen çdo vendim qeveritar, edhe kur ai është një shfaqje politike për konsum ditor. Historia, në këtë rast, përdoret si kapele që vendoset mbi turinjtë e rrenës. Shaqir Fetai i rrejti atëbotë edhe medresantet edhe opinionin e gjërë dhe për këtë rrenë kurrë nuk kërkoi falje. Për një me fytyrë të bardhë një rrenë e tillë do të thoshte fund i karrierës dhe mbyllje brenda kotecit të shtëpisë!
Tani, që Kuvendi miratoi një ligj të ri, me të njëjtën frymë, por me ndoshta më shumë përgatitje formale, Fetai na del sërish para me atë fytyrë prej triumfatori institucional që na kërkon duartrokitje për një nismë që, po të ndodhë të ankimohet nga një qytetar i zakonshëm dhe të bie sërish në Kushtetuese, do t’i kthehet përsëri në përulje, në lutje, në “le të korigjohet për hir të medresantëve”. E pra, me këtë model komunikimi dhe sjelljeje, Shaqir Fetai po tregon jo konsistencë institucionale, por shpërdorim ceremonial të të vërtetës.
Dhe sikur të mos mjaftonte gjithë kjo rrëmujë e relativizuar, Fetai, në urimin e tij institucional, e pa të arsyeshme, ose më saktë, të dobishme, t’i drejtohet edhe Kishës Ortodokse Maqedonase, për t’i uruar akreditimin e shkollës së saj të mesme fetare “Bogosllovia”. Po çfarë i duhej ky urim Shaqir Fetait? Kujt po i shërbente me këtë përkulje të papritur dhe krejtësisht të panevojshme? A mos ndoshta për të dëshmuar, edhe një herë, se është një b…lëpirës konsistent dhe gjigant, që nuk humb asnjë rast për t’u bërë i “dëgjueshëm”, i “bindshëm”, dhe i “përulur” para gjithkujt që sheh pak pushtet mbi horizont?
Por ajo që përbën thelbin e manipulimit është pikërisht keqkuptimi, apo keqprezantimi i qëllimshëm, i rëndësisë së akreditimit të Medresesë. Sepse, për vetë institucionin e Medresesë, “akt historik” ka qenë dhe mbetet themelimi i saj, që para katër dekadave. Që prej asaj kohe, Medreseja ka funksionuar, ka ndërtuar identitetin e saj arsimor e fetar, ka nxjerrë kuadro të respektuar në fushat më të ndryshme, dhe ka qenë gjithmonë pjesë aktive e formimit të brezave. Akreditimet që vijnë pas, janë thjesht proces avansimi dhe harmonizimi institucional, jo ndonjë “shpëtim” që erdhi në kushte jashtëzakonisht të favorshme falë Shaqir Fetait. Të prezantosh këtë si ringjallje, është si të përpiqesh të rimbjellësh një pemë që nuk ka reshtur kurrë së dhëni fryte.
Fetai po rren, jo si një mashtrues banal, por si një relativizues profesionist i të vërtetës, një mjeshtër i modifikimit të narrativës në varësi të interesit të momentit. Herë e quan “akt historik” një vendim që i bie për tokë për shkak të shkeljeve ligjore, e herë shpall akt tjetër “shpëtimin përfundimtar”, sikur pa të, historia e Medresesë do të mbetej një përçartje arkaike. Ai nuk e njeh ndjenjën e përgjegjësisë për fjalën publike. Për të, fjalët janë tollumbace që fryhen e shpërthejnë pa llogari, por me shumë ngjyrë.
Problemi është se kjo qasje jo vetëm nuk i zgjidh nyjat reale të arsimit fetar, por i ngatërron edhe më shumë. Në vend të një procesi të qartë institucionalizimi, me dokumentacion të saktë dhe me përfshirje të ekspertëve të arsimit dhe komunitetit fetar, kemi deklarata të ngutshme, urime politike, eufori të orkestruar dhe protagonizëm të trashë që kërkon të mbulojë boshllëkun e brendshëm të një udhëheqjeje pa vizion.
Kur politika dhe feja përdoren për të fshehur paaftësinë, atëherë aktet e vërteta historike shndërrohen në karikatura groteske të pushtetit të përkohshëm. Dhe për këtë arsye, nuk është vetëm e nevojshme, por edhe e shenjtë të përbuzësh këtë lojë të rrezikshme me ndjenjat, shpresat dhe vlerat e një komuniteti që kërkon dinjitet, jo spektakël.
Historia nuk bëhet me urime në Facebook dhe as me tituj të fryrë për vendime të rrënuara. Ajo ndërtohet me përkushtim të heshtur, me dije, me ndershmëri institucionale dhe me besim të vërtetë në punën për brezat që vijnë.
Dhe këtë histori nuk do ta shkruajë Shaqir Fetai, por ata medresantë që, pa e ditur emrin e tij, po përgatiten në heshtje për të qenë nesër zëri i arsyes, dhe jo jehona e rrenës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *