Mijëra qytetarë rumunë dolën sërish në rrugë, duke shënuar ditën e gjashtë të protestave kundër asaj që ata e quajnë degradim të thellë të sistemit të drejtësisë në vend. Demonstratat u zhvilluan kryesisht në Bukuresht, por edhe në disa qytete të tjera të Rumanisë.
Protestat vijnë pas një letre të hapur të nënshkruar nga rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët denoncojnë probleme serioze strukturore, mungesë integriteti dhe presione brenda sistemit gjyqësor. Ata kërkojnë reforma urgjente dhe garantimin e pavarësisë së drejtësisë.
Situata u përshkallëzua pasi media investigative Recorder publikoi një dokumentar që pretendon se disa kryegjyqtarë, të mbështetur politikisht, shfrytëzojnë boshllëqe ligjore për vendime të dyshimta, ndërsa magjistratët kritikë ndëshkohen me masa disiplinore.
Në përgjigje të reagimit publik, presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, njoftoi se më 22 dhjetor do të zhvillojë konsultime me përfaqësues të sistemit gjyqësor. Ai deklaroi se ankesat masive nga vetë magjistratët tregojnë një krizë serioze besimi në drejtësi.
Gjatë marshimit në kryeqytet, rreth 10 mijë protestues brohoritën slogane si “Drejtësi, jo korrupsion” dhe “Pavarësi, jo bindje”, duke theksuar zhgënjimin e thellë të shoqërisë ndaj institucioneve, raporton Ruesters.
Ekspertët ligjorë vlerësojnë se ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2022, të cilat rritën ndjeshëm pushtetin e kryetarëve të organeve mbikëqyrëse të drejtësisë, kanë hapur rrugën për abuzime dhe mungesë llogaridhënieje.
Megjithëse Bashkimi Evropian e hoqi monitorimin e posaçëm mbi drejtësinë rumune në vitin 2023, zhvillimet e fundit kanë ringjallur shqetësimet për rënien e luftës kundër korrupsionit dhe për rikthimin e ndikimit politik në sistemin gjyqësor.
