Politologia dhe profesoresha nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, Neda Shaponja, ka ngritur alarmin për përhapjen e nacionalizmit të ndërthurur me elementë neofashistë në Serbi, duke paralajmëruar për pasoja serioze në stabilitetin e rajonit.
Në një intervistë për Slobodna Bosna, Shaponja kritikoi ashpër mënyrën se si pushteti në Serbi, nën drejtimin e Aleksandar Vuçiq, po ushqen një narrativë politike të bazuar në viktimizim, paranojë dhe manipulim të opinionit publik.
“Serbia po jeton filmin e Vuçiqit, ku ai është njëkohësisht regjisori, skenaristi dhe aktori kryesor. Roli i tij i preferuar është ai i viktimës, duke prodhuar vazhdimisht ‘atentate’ të supozuara sa herë që nuk di çfarë të bëjë”, u shpreh ajo, duke shtuar se kjo qasje përjashton një pjesë të qytetarëve dhe krijon një model shoqëror të rrezikshëm.
Sipas Shaponjës, që nga vitet ’90 Serbia është e ndarë në “dy Serbi”, ndërsa nacionalizmi i trashëguar nga epoka e Slobodan Millosheviq vazhdon të ndikojë fuqishëm politikën aktuale.
Ajo paralajmëroi se këto prirje mund të përshkallëzojnë tensionet në Kosova, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi, duke e kthyer Serbinë në një “faktor shqetësues” për rajonin.
Një shqetësim i veçantë, sipas saj, lidhet me falsifikimin e historisë në tekstet shkollore serbe. Ajo solli si shembull mënyrën se si figura e çetnikut Drazha Mihailoviq paraqitet si viktimë e padrejtë e historisë, duke mohuar bashkëpunimin e tij me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Historia po falsifikohet sistematikisht. Ata falsifikojnë heronjtë, çlirimtarët dhe poetët tanë. Por e vërteta, ndryshe nga gënjeshtra, mund të falsifikohet vetëm sepse ekziston”, theksoi Shaponja.
