Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se i ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
“Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetuta nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, deklaroi Osmani gjatë konferencës për medie.
“Kam mandatuar Glauk Konjufcën, kandidat tjetër për kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton neni 95, pika 4 e Kushtetutës, si dhe vetë praktika e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ajo.
Ajo gjatë konferencës bëri të ditur se ka ftuar partitë opozitare për t’u ofruar mundësinë e mandatarit, por që të njëjtat kanë deklariar se nuk do të propozojnë emër tjetër për mandatar.
Tutje, presidentja Osmani theksoi se mandati i Glauk Konjufcës është në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese të saj, duke siguruar stabilitetin e vendit dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Ajo potencoi se funksionalizimi i shtetit është në rrezik nëse vendi mbetet pa institucione për një periudhë të gjatë.
“Vet funksionalizimi i shtetit rrezikohet nëse shkojnë disa muaj e ne nuk kemi institucione. Me qëllim që të parandaloj këtë dëm dhe të jepet hapësirë ku mund të merren këto vendime, dhe me qëllim që të përmbush obligimin tim, duhet të kemi interpretime pozitive për krijimin e institucioneve”, deklaroi Osmani.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje mes partive politike, Presidentja shprehu optimizëm dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje. Ajo ka apeluar që partitë të vendosin interesat e shtetit mbi çdo gjë tjetër.
“Ka akoma hapësirë që partitë të arrijnë dakordim. Nuk dua të dorëzohemi nga përpjekjet. Dua të jem optimiste dhe dua që të gjitha partitë politike ta vendosin interesin e shtetit të parin, sepse shumë më rëndësi se sa zgjedhjet të mbahen në cilën datë, është çka bëjmë në këtë hapësirë para zgjedhjeve. Shpresa ime është që ka hapësirë për diskutime mes partive”, tha Osmani.
Mes tjerash ajo bëri të ditur se nëse edhe herën e dytë nuk zgjidhet qeveria atëherë shpallen zgjedhjet.
Duke folur për situatën aktuale në vend, Osmani theksoi rëndësinë e veprimeve për mbrojtjen e stabilitetit kushtetues dhe sigurimin e mirëqenies së qytetarëve, duke bërë thirrje që partitë politike dhe deputetët të marrin vendime të dobishme për vendin.
“Është e rëndësishme që në një periudhe kaq të ndjeshme në vendin tonë, përfshirë kërcënimet ndaj sovranitetit tonë nga Serbia, që ne të gjejmë rrugën përpara, që partitë politike shpresoj që të gjejnë mundësinë që në ditët në vijmë të kalohet plani i rritjes dhe së paku zgjatja buxhetore. Ka mundësi që të bëhen gjëra të mira për këtë vend. Shpresoj shumë që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do ta kenë këtë parasysh”, tha ajo.
