Mbrojtja Civile në Rripin e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka njoftuar se viktimat ishin pjesëtarë të një familjeje që po përpiqej të kthehej në shtëpinë e tyre për të parë gjendjen pas luftimeve.
Autobusi i tyre u godit nga një predhë tanku izraelit teksa lëvizte në një zonë të afërt me kufirin, ku sipas ushtrisë izraelite ende ka prani të forcave ushtarake.
Ushtria izraelite ka deklaruar se ushtarët kanë shtënë drejt një automjeti të dyshimtë, pasi ky e kishte kaluar atë që njihet si “vija e verdhë”, një kufi ndarës jozyrtar midis zonave të kontrolluara nga ushtria dhe pjesëve të çliruara të Gazës.
“Janë dhënë paralajmërime, por automjeti ka vazhduar lëvizjen drejt pozicioneve tona, duke u konsideruar si kërcënim i drejtpërdrejtë, thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite.
Zyrtarët lokalë thonë se “vija e verdhë” nuk është e dukshme dhe e paqartë për civilët, ndaj shumë banorë nuk e dinë se po hyjnë në një zonë të ndaluar. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka njoftuar se ushtria do të vendosë shenja të dukshme paralajmëruese përgjatë vijës ndarëse për të shmangur incidente të ngjashme.
Ndërkohë, ambasada palestineze në Kajro ka bërë të ditur se vendkalimi kufitar Rafah mes Egjiptit dhe Gazës do të hapet të hënën, duke u mundësuar qindra palestinezëve që ndodhen në Egjipt të kthehen në vendin e tyre.
