Kur frika ia kalon bindjes, edhe hipokriti përpiqet të duket neutral dhe, kur turpi nuk është më opsion, mbetet vetëm deklarata publike për t’i “larë duart”, siç bëri dikur Ponç Pilati.
Nga Mr. Eset Shaqiri
Në histori, Ponç Pilati, ky guvernator romak, njihet si hipokriti më i tmerrshëm që u shndërrua në simbol të pushtetarëve që shmangin përgjegjësinë nën petkun e neutralitetit.
Sot, shekuj më vonë, kemi versionin lokal të Ponç Pilatit: Shaqir Fetain. Njeriu që u ngjit në krye të Bashkësisë Fetare Islame me ndërhyrje politike, që i ka dhënë frymë partizimit të fesë dhe keqpërdorimit të institucioneve fetare për interesa të pushtetit dhe, pikërisht ky njeri tani del në publik me një deklaratë “neutraliteti”, duke u përpjekur të lajë duart nga e kaluara e tij politike sikur të mos kishte qenë vetë protagonisti kryesor i saj.
Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI), e kapur prej kohësh nga thonjtë e politikës dhe nën dirigjimin e qarqeve të dyshimta, doli këto ditë me një deklaratë hipokrite, në përpjekje për të bindur opinionin se paska qenë, paska mbetur dhe paska për të qenë një institucion “plotësisht apolitik dhe apartiak”. Kjo nuk është tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar e Shaqir Fetait për të mbuluar atë që më nuk mbulohet: identitetin e vërtetë të tij si produkt i përzierjes së pistë mes fesë dhe politikës.
Ai që është ngjitur në krye të BFI-së me ndërhyrje politike brutale, përmes grusht-shteti institucional të bekimit të partisë së Ali Ahmetit, tash na del si shpëtimtari i neutralitetit fetar! Siç duket, Fetai mendon se populli ka memorie të shkurtër, aq sa të harrojë se ai vetë ka qenë pjesë aktive e BDI-së, madje shpeshherë më militant se vetë strukturat e asaj partie.
Çfarë e trembi Shaqir Fetain? Pse i ra ndër mend tani t’u bëjë thirrje organeve të BFI-së që “të mos keqpërdorin pozicionet për qëllime politike”? A mos vallë është zgjuar në mëngjes me ndonjë ndërgjegje të vonuar fetare? Jo! Të mos mashtrohemi!
Kjo deklaratë është asgjë tjetër veçse një manovër frikacake, një përkulje ndaj realitetit të ri politik, sepse BDI-ja, që ia imponoi uzurpimin e BFI-së, sot nuk është më në pushtet. Sot kemi një Qeveri tjetër, një realitet tjetër, dhe Shaqir Fetai dridhet se mos ia prishin pazaret me bursat, me pasaportat diplomatike, me tenderat e heshtur dhe me projektet e kamufluara që i kanë mbajtur gjallë kolltukun.
Ai e di shumë mirë se në të kaluarën çdo herë ka ndërhyrë brutalisht në fushatat elektorale, duke mobilizuar imamë, duke përdorur xhami si qendra propagande dhe duke shkelur çdo parim fetar e moral. E di shumë mirë që çdo herë që është përfshirë, ka ardhur dështimi, madje edhe në fshatin e vet! BDI-ja ka humbur kudo ku është futur hija e Shaqir Fetait, sepse populli i njeh mirë “punët e tij”.
I vetëdijshëm për peshën e emrit të tij që sot barazohet me dështimin, Fetai tani tenton të lajë duart si Ponç Pilati. E kujt ia shet këtë moral të improvizuar? A do t’i sanksionojë vallë organet që përfshihen në fushata? Jo, nuk guxon! Sepse po të zbatonte rregullat që vetë i përmend në deklaratë, duhej të kishte filluar me veten e tij, pastaj me myftitë militantë, me imamët agjitatorë, me “punëtorët fetarë” që janë njëkohësisht zyrtarë partie.
Në fakt, kjo deklaratë nuk është paralajmërim, është lutje, është një selam i ulët përpara VLEN-it, që të mos e prekin, të mos ia shqyrtojnë dosjet, të mos ia marrin bursat që i shpërndan si në çarshi, e të mos i kërkojnë llogari për medresenë që e mbështeti për ta kthyer në fole politike.
Ky është ai moment kur hipokrizia bëhet transparente, kur maskat bien, dhe kur një “lider fetar” shndërrohet në komik të një tragjikomedie publike.
Shaqir Fetai nuk duhet të mundohet të na shkruajë deklarata që përpiqen të pastrojnë një institucion që është katandisur në zgjatim të strukturave që e sollën në krye të BFI-së. Nëse do të jetë apolitik, atëhere duhet të japë dorëheqje nga pozicioni politik që e fitoi nga partitë që kurrë nuk ia dashtën të mirën BFI-së! Derisa të qëndrojë aty, çdo fjalë e tij për “neutralitet” është thjesht një ironi që fyen inteligjencën e opinionit publik.