Një kërcënim është raportuar sot në Kuvendin e Kosovës, duke detyruar daljen e deputetëve dhe gazetarëve nga ndërtesa.
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive është evakuuar për shkaqe sigurie, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Policia për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkun është me liru ndërtesën”, ka thënë Tahiri.
E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka folur shkurt pas evakuimit nga Kuvendi i Kosovës, nën kërcënimet për bombë në atë objekt.
Konjufca ka thënë se sipas informacioneve që ka, kërcënimi ka ardhë përmes një telefonate.
“Duhet autoritetet kompetente me vlerësu, sidomos ato të sigurisë, kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu. Të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi. Me sa e di unë vetëm përmes telefonatës, të tjerat nuk i kemi të qarta”, ka thënë ai.
Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.
“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se hetimi dhe zbulimi i burimit të telefonatës është përgjegjësi e Policisë së Kosovës.
“Është në dorën e policisë me zbulu rastin edhe nga ka ardhur ajo telefonat. Sepse nëse angazhohen, do të gjejnë se kush ka bërë këtë informatë”, ka deklaruar Kadrijaj.
Deputetja Duda Balje është deklaruar pas urdhrit për evakuim të deputetëve nga Kuvendi i Kosovës, që dyshohet se lidhet me një kërcënim.
“Na thanë me dalë sa më shpejt prej Kuvendit, asgjë më shumë, naj alarm naj sen. S’besoj që ka me ndodhë diçka, mundet me kanë fake”, u shpreh ajo.
“Policia ka njoftuar për një kërcënim me bombë brenda hapësirave të Kuvendit dhe njëkohësisht ka kërkuar evakuimin e gjithë personave”, ka njoftuar Zyra për media e Kuvendit.