Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millosh Pleskoviqin për krime lufte kundër popullatës civile dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 7 qershor 2024, Pleskoviq akuzohej se gjatë viteve 1998-1999 në Prizren, në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur, kishte vrarë tre civilë shqiptarë dhe kishte plagosur disa të tjerë.

Prokuroria e kishte akuzuar atë për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke vepruar drejtpërdrejt kundër personave civilë gjatë luftës në Kosovë.

Pleskoviq ishte pjesëtar i forcave serbe.

Pas seancës, nëna dhe motra e dy viktimave thanë se Millosh Pleskoviq ishte përgjegjës për vrasjen e familjarëve të tyre.

“Mi ka mbyt dy djemtë, 29 vjeç i kanë pas”, tha nëna e viktimave.

Ndërsa motra e tyre e quajti dënimin prej 15 vitesh shumë të ulët. “Pak është. Ai i ka njohur vëllezërit e mi, ka qenë nga lagjja jonë. I ka zënë në mal, i ka vrarë dhe masakruar. Ai ka vrarë edhe të tjerë nga Prizreni”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *