Peshku qelbet nga koka

Bashkësisë Fetare Islame në RMV i takon që ta bëjë punën sa më transparente, ta kapë fajtorin dhe mos t’i fsheh hajnat, sepse ky akt po i përlyen të gjithë

Nga Faton Sulejmani

Kah fundi i muajit dhjetor të vitit 2024, struganët publikuan një letër të hapur të cilën ia nisën të mendermethënshmit “reis” prej të cilit kërkuan masa diciplinore kundër myftiut të tij në Strugë, Adi Murtishit, i cili nuk e kishte raportuar tërë fondin e grumbulluar nga struganët për të ndihmuar myslimanët e Jabllanicës së Bosnjës që pësuan nga një vërshimë apokaliptike. Pas kësaj do të pasojnë edhe sërë veprimesh jo të denja për qytetarët normal, aq më pak për myslimanët.
Fiks një muaj më parë (06.02. 2025), qytetarë të Strugës të besimit islam, të punësuar në kuadër të BFI-së, anëtarë të Myftinisë, kanë ngritur Kallëzim penal deri te Prokuroria publike në Strugë dhe Prokuroria publike në Shkup kundër Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Shkup, Njësia organizative Myftinia e BFI-së në RMV – Strugë, e përfaqësuar nga Adi Murtishi nga fshati Ladorishtë. Kallëzimi penal ishte ngritur bazuar në akuzat për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe mosrespektim të Kushtetutës së BFI-së dhe Kushtetutës së RMV-së bazuar në nenin 8, 26, 27, 28, dhe 37 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame si dhe përçarje e konflikt mes anëtarëve të Myftinisë dhe personelit të BFI-së.
Së fundmi ladorishtarët reaguam edhe me një apel publik për masa konkrete për ta zgjidhur dhe tejkaluar një problem që aspak nuk po na nderon!
Xhamia “Bashkimi” në Ladorisht është e zhytur në borxhe për mospagimin e rrymës disa vite me radhë. Po flitet se kjo xhami tashmë është në borxh me dhjetra mijëra euro! Natyrisht, këtë borxh e vështirëson edhe më shumë rritja e kamatës! Xhamia, Shtëpia e Zotit të futet në kamatë?! Ka disa vite xhamisë i është ndërprerë rryma nga EVN-ja dhe xhamia furnizohet me rrymë nga Remzi Lena. Në këtë xhami ka shërbyer myftiu aktual, Adi Murtishi! Ai më së miri duhet ta dijë sa është ky borxh, pse është ky borxh, si ndodhi që Xhamia të jetë në borxh madje edhe të futet në kamata! E turpshme! Për më tepër, ladorishtarët paguajnë anëtarësimin, ladorishtarët kurrë nuk kanë refuzuar kërkesat për të mbledhur ndihma në hasër xhumave për pagimin e rrymave dhe komunalive të tjera! Ku kanë shkuar këto para, pse nuk janë shlyer detyrimet, a duhet të japë llogari dikush a jo!
Sido qoftë, banorët e Ladorishtit, pa kërkuar faj nga askush pse ka ardhur puna deri në këtë deregje mendojnë që tani më është koha që të shlyhet borxhi dhe xhamia të frymoj lirshëm, e mbi të gjitha, si institucion fetar islam, të mos paguaj kamatë, në kundershtim me parimet fetare. Është koha e fundit që të gjithë bashkarisht të mbledhim forcë dhe mjetet (para) dhe të tejkalohet kjo situatë e krijuar. Bashkësisë Fetare Islame në RMV i takon që ta bëjë punën sa më transparente, ta kapë fajtorin dhe mos t’i fsheh hajnat, sepse ky akt po i përlyen të gjithë. Nuk mundet që një, dy, tre hajna të hedhin njolla mbi pastërtinë fetare të ladorishtarëve.
Prandaj, jemi të gatshëm të kontribuojmë me qëllim që ta tejkalojmë këtë problem që nuk na bën aspak nder dhe njëkohësisht do të lakuriqësohen edhe ata të kryesisë së BFI-së që e kultivojnë hajninë! Nuk thonë kot: “Pershku qelbet nga koka”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *