Përshakllëzohet konflikti midis Tajlandës dhe Kamboxhias – 30 të vdekur dhe 130 mijë të zhvendosur

Përleshjet në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias vazhdojnë për të tretën ditë radhazi, dhe sot janë shfaqur vatra të reja të konfliktit, ndërsa të dyja palët po kërkojnë mbështetje diplomatike, duke pretenduar se kanë vepruar në vetëmbrojtje dhe duke i bërë thirrje palës kundërshtare për armëpushim dhe fillim të negociatave.

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 130 mijë janë zhvendosur në përleshjet më të ashpra mes Tajlandës dhe Kamboxhias në 13 vitet e fundit, raporton reuters.

Marina tajlandeze njoftoi se të shtunën në mëngjes ndodhi një përplasje në provincën bregdetare Trat, duke hapur një vatër të re të konfliktit më shumë se 100 kilometra larg nga pikat e tjera të përleshjeve përgjatë kufirit për të cilin dy vendet janë në konflikt prej dekadash. Deri më tani kanë vdekur 19 ushtarë tajlandezë, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, Maly Socheata, deklaroi se në përleshje kanë vdekur pesë ushtarë dhe tetë civilë.

Ambasadori tajlandez në OKB i tha Këshillit të Sigurimit të premten se ushtarë tajlandezë janë plagosur dy herë që nga mesi i korrikut për shkak të minave të vendosura nga Kamboxhia në territorin tajlandez, gjë që Kamboxhia e ka mohuar fuqishëm. Gjithashtu, ambasadori tha se Kamboxhia kishte nisur sulmet të enjten në mëngjes.

“Tajlanda i bën thirrje Kamboxhias të ndalojë menjëherë të gjitha aktet armiqësore dhe agresive dhe të rikthehet në dialog me mirëbesim,” deklaroi Cherdchai Chaivaivid.

Dy vendet kanë pasur mosmarrëveshje për kufirin për dekada, ku pronësia mbi tempujt hindu Ta Moan Thom dhe Preah Vihear nga shekulli i XI-të janë pikat më të diskutueshme.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1962 ia dha Preah Vihearin Kamboxhias, por tensionet u shtuan në vitin 2008 kur Kamboxhia u përpoq ta regjistronte tempullin në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Tajlandës, Phumtham Wechayachai, shprehu shqetësim serioz për përshkallëzimin e tensioneve në kufirin me Kamboxhian. Pas ditës së dytë me radhë të incidenteve të armatosura, ai paralajmëroi se situata mund të dalë jashtë kontrollit.

Tensionet u përshkallëzuan në fund të majit kur një ushtar kamboxhian u vra në një përplasje të shkurtër. Të dyja palët më pas vendosën trupa shtesë, dhe kriza diplomatike e çoi qeverinë e koalicionit të Tajlandës drejt shpërbërjes. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *