Një grabitje me vlerë rreth 30 milionë euro ka ndodhur në një bankë të “Sparkasse” në qytetin Gelsenkirchen, në Gjermaninë Perëndimore. Hetuesit bëjnë të ditur se grabitësit kanë thyer rreth 3.200 kasaforta.
Mbi 2.500 klientë janë prekur nga kjo ngjarje, duke e bërë atë një nga grabitjet më të mëdha bankare në historinë moderne të Gjermanisë.
Grabitja u zbulua herët të hënën, pasi u aktivizua alarmi kundër zjarrit. Rreth 200 klientë të shqetësuar u mblodhën sot para filialës së bankës, duke kërkuar informacion për sendet e tyre me vlerë, ndërsa disa prej tyre tentuan të hynin me forcë në bankë.
Sipas policisë, autorët kanë depërtuar në një numër të madh kasafortash në thesarin e bankës. Të dhënat fillestare tregojnë se ata kanë hyrë në objekt përmes një garazhi parkimi. Pasi kanë arritur në hapësirën e arkivit, kanë hapur një vrimë në mur për të depërtuar në thesarin e bankës, duke përdorur pajisje të specializuara shpimi.
Deri më tani nuk ka të dyshuar për këtë grabitje.
