Shkruan Avni Halimi
Ka një paradoks të zymtë në mënyrën se si disa prej institucioneve tona, qofshin ato me relevancë kombëtare apo fetare, marrin rolin e nderuesve të kulturës, pa qenë kurrë kontribues në të. Kemi hyrë në një epokë ku ceremonialiteti zë vendin e përmbajtjes, ku nderimi bëhet jo për të njohur vlerën reale, por për të krijuar fasadën e një ndjeshmërie kulturore që në fakt nuk ekziston. Kështu, institucionet bëjnë lajm duke pritur “krijues kombëtarë”, shpesh figura pa profil, pa ndikim, pa zë në botën letrare apo artistike, të cilët thirren, përgëzohen dhe nderohen si mishërimi i suksesit dhe përkushtimit kulturor. Dhe kjo bëhet pa asnjë kriter të matshëm, pa asnjë referencë reale, pa ndonjë provë publike të vlerës që pretendohet të jetë përfaqësuar.
Ky është një skenar tragjikomik, që nuk i shërben askujt – as kulturës, as institucioneve, dhe as vetë shoqërisë që përpiqet të gjejë orientim përmes shembujve. Institucioni që ndërton “laureatë kultur” nga hiçi, që vë kurora mbi krye të zbrazëta, nuk po promovon artin – por po zhvat prestigjin që kultura përfaqëson, për ta kthyer në një vegël propagande personale ose klanore.
Skandaloze është edhe përpjekja për ta maskuar këtë hipokrizi: i njëjti institucion që pret dhe nderon “krijues” imagjinarë, ka heshtur qëllimisht përballë diskriminimit brutal të kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. A e ka dëgjuar kush ndonjëherë një fjalë publike nga drejtuesit e këtyre institucioneve për pabarazinë ekstreme në buxhetimin e kulturës shqiptare? A kanë reaguar ndonjëherë për shpenzimet marramendëse që ndahen vetëm për fishekzjarret në hapje të “Mbrëmjeve Strugane të Poezisë”, “Verës së Ohrit” apo të “Mbrëmjeve Operistike të Majit”, të cilat kushtojnë më shumë se i gjithë buxheti i kulturës shqiptare në shtet? Jo, sepse nuk ka interes të përplasen me pushtetin real, sepse janë më të interesuar të ngrejnë statuja artificiale sesa të mbrojnë themelet reale të ekzistencës sonë kulturore.
Ky fenomen është simptomë e një sëmundjeje më të thellë: përdorimi i pseudo-vlerave si monedhë legjitimimi. Kur institucionet që nuk kanë dhënë asnjë provë për mbështetje serioze të kulturës ndërtojnë një narrativë ku shfaqen si “vlerësues kontinuitivë”, kemi të bëjmë me një falsifikim sistematik të memories kolektive dhe të trashëgimisë kulturore. Ata që heshtin përballë shkatërrimit të një gjuhe, të një letërsie, të një tradite, dhe befas dalin si shpërndarës lavdërimesh për krijimtari që askush nuk e njeh, janë jo mbrojtës të kulturës, por “përfitues luftarakë”.
Problemi nuk është vetëm etik. Problemi është strukturor dhe i rrezikshëm për të ardhmen. Sepse kur kultura nuk mbështetet mbi vlerë reale, por mbi vlerësime të rreme, nuk ndërtohet më një trashëgimi, por një iluzion. Dhe ky iluzion gërryen ngadalë çdo ndjenjë reale të përkatësisë, krenarisë dhe qëllimit kulturor kombëtar. Rinia rritet duke parë se për të qenë “i nderuar” nuk është e nevojshme të krijosh, të luftosh, të thuash të vërtetën, por mjafton të jesh pranë dikujt që ka çelësat e institucionit.
Këto institucione kanë degraduar në laboratorë të prodhimit të titujve pa peshë, në rrjeta vetë-referenciale që ushqejnë njëri-tjetrin me dekorata, mirënjohje dhe urdhra për kontribute që ekzistojnë vetëm në komunikata. Kultura e vërtetë, ndërkohë, e heshtur dhe e lënë në hije, vazhdon të krijohet në margjina, nga njerëz që nuk kanë nevojë për fotografi me medalje, por për hapësirë, mbështetje, përfaqësim të ndershëm dhe njohje reale.
Dhe pikërisht kjo është ajo që duhet thirrur me zë të lartë: kultura nuk ndërtohet me lëvdata, por me kritere. Nuk mbron kulturën ai që i bie daulleve në sallone, por ai që ngre zërin kundër mohimit të saj institucional, brenda e jashtë kufijve. Deri atëherë, të gjitha përgëzimet për pseudo-krijues dhe të gjitha deklaratat për “angazhim kombëtar kulturor” do të mbeten jo vetëm boshe, por mashtruese dhe të dëmshme për vetë strukturën morale të shoqërisë.
Nëse nuk çlirohemi nga kjo kulturë false e përgëzimeve të inskenuara dhe nuk ndërtojmë një sistem ku vetëm vlera reale nderohet, atëherë po ia shesim identitetin tonë kulturor një pazari mediokër që shërben vetëm për vetëpromovim dhe harresë kolektive. Dhe ajo që harrohet me vetëdije, nuk do të kujtohet më kurrë me dinjitet.