Nga Besim Memedi, imam
Po na vjen edhe një Muaj i bekuar ndërsa ne, myslimanët e Tetovës, po na gjenë të ndarë e të copëtuar! Se për çfarë do t’u flasim xhemateve tona, kjo nuk është e qartë hala! Do t’u flasim për unitet ashtu siç e urdhëron islami? Do të flasim për afrim e dashuri mbi të cilat shtylla ngritet islami? Do t’u flasim për solidaritet e humanizëm elementë këto ndër kryesoret në islam? Kështu të përçarë e të armiqësuar po qe se i zëmë ngojë këto tema do të dëshmojmë për hipokrizinë tonë! Kurrë më keq nuk ka qenë situata. Në emër të islamit dhe të organizimit institucional të jetës fetare islame ne, imamët e Tetovës, jemi kaq shumë të përçarë!
Me nijet të pastër dhe me dashuri të madhe po e presim këtë muaj të agjërimit. Le të lutemi dhe, le të shpresojmë që, për hirë të kësaj përgatitje shpirtërore dhe kësaj dashurie për ibadetet në këtë Muaj të bekuar, do t’ia dalim që t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet, ndasitë dhe të ofrohemi dhe unitetin tone ta bëjmë shembull siç e kemi pasur . Kjo zgjidhje kërkon ekskluzivisht mirëkuptim islamik! Nuk ka drejtësi që mund të na ndihmojë përveçse udhëzimet e shenjta islame. Ndërsa ne, imamëve, na përket të jemi shembuj praktik të këtyre udhëzimeve. Zot, na udhëzo kah e mira dhe e mbara. Amin!