Institucioni i BFI-së nuk është agjenci për reklama vetjake dhe nuk ka për detyrë të prodhojë spektakle për ego personale të Shaqir Fetait. Ai është i thirrur të shërbejë besimtarët, të ruajë dinjitetin fetar dhe të ndërtojë ura të heshtura dhe të dobishme me botën islame – jo të krijojë jehonë boshe për veprime që nuk kanë peshë reale
Nga Sali Murati
Më 11 maj 2025, një vizitë e zakonshme e mirësjelljes mori trajtën e një spektakli vetëlavdërues nga i instaluari nga shërbimet e huaja në krye të Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Shaqir Fetai. Pritja e një përfaqësuesi të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe – z. Abdullah El Ka’bë – përkundër të qenit një ndalesë e thjeshtë kalimtare dhe shprehje e një miqësie vëllazërore ndërmjet institucioneve, u transformua në një manovër propagandistike.
Le të jemi të qartë: pritjet e tilla, kur një personalitet kalon përmes territorit të një shteti apo një institucioni mik, mikpritja dhe akomodimi janë pjesë e etikes tradicionale kombëtare por edhe islame. Ato janë të natyrës vëllazërore, krejtësisht të natyrshme dhe nuk përbëjnë lajm publik. Janë shprehje të një mikpritjeje që nuk ka nevojë për kamera, për deklarata, për komunikata e për “selame” mediatike.
Në këtë drejtim, në palo-informatën e publikuar në paçavurën e Fetait, bie në sy një fjali që vetvetiu tradhton qëllimin e vërtetë të këtij njoftimi: “biseduan për qëllimin e vizitës.” Kjo është një mënyrë tinëzare për të thënë asgjë – një fjali që, nëse nuk pasohet nga asnjë sqarim konkret, lë dy mundësi: ose nuk ka pasur fare ndonjë qëllim, dhe atëherë po luajmë teatër me publikun; ose qëllimi është kaq delikat, kaq i ndjeshëm, ndoshta edhe i rrezikshëm, sa nuk guxon të thuhet. Në të dyja rastet, kjo gjuhë e mjegullt nuk është vetëm tregues i mungesës së transparencës, por edhe fyes ndaj mendjes së shëndoshë të opinionit.
Por Shaqir Fetai, i njohur për shijen e tij të pashuar ndaj autopromovimit, nuk humbi rastin që edhe këtë akt modest e të natyrshëm ta shndërrojë në një mjet për të ndërtuar kultin e vet të rremë të një mahluku që na qenka i rëndësishëm. Ai e trajtoi këtë vizitë si trofe, sikur të ishte dëshmi e ndonjë influence globale apo respekti të jashtëzakonshëm që gëzon personalisht – ndërkohë që realiteti është krejt tjetër: ishte një ndalesë kortezie, jo një takim i rëndësishëm strategjik.
Në vend që të tregojë modesti dhe etikë institucionale, ai përpiqet të mashtrojë opinionin publik se ndodhet në qendër të zhvillimeve të mëdha islame, ndërsa në fakt veprimet e tij janë simptomë e një kompleksi inferioriteti të thellë. Të keqpërdorësh “vëllezërit” për kapital politik dhe personal është jo vetëm e padenjë, por edhe turpëruese për institucionin që përfaqëson.
Institucioni i BFI-së nuk është agjenci për reklama vetjake dhe nuk ka për detyrë të prodhojë spektakle për ego personale të Shaqir Fetait. Ai është i thirrur të shërbejë besimtarët, të ruajë dinjitetin fetar dhe të ndërtojë ura të heshtura dhe të dobishme me botën islame – jo të krijojë jehonë boshe për veprime që nuk kanë peshë reale.
Është koha që udhëheqësit fetarë të ndalin këto praktika të neveritshme të vetëlavdërimit dhe të kthehen te thelbi i fesë që predikojnë – përulësia, sinqeriteti dhe shërbimi pa bujë. Islami nuk është platformë për të ushqyer ego, por udhërrëfyes për të shërbyer me devotshmëri./1KLIKLARG/12.05.2025/