Maskarada e BFI-së me “organizimin” e Haxhit

Editorial i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI

Në një realitet ku institucionet fetare duhet të jenë modele të përkushtimit, transparencës dhe seriozitetit përballë përgjegjësive që kanë, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut (BFI) vazhdon të tallet me mendjen e opinionit publik dhe veçanërisht me ndjenjat e haxhilerëve. Manipulimi i përditshëm me detyrat rutinë si “aktivitet madhor institucional” është bërë praktikë e shëmtuar dhe tallëse, që e degradon rolin e këtij institucioni në sytë e besimtarëve dhe opinionit në përgjithësi.

Kur detyrat e përditshme servohen si “aktivitete madhore”

A guxon dikush me mendje të kthjellët të paraqesë obligimet e përditshme si suksese të jashtëzakonshme? A guxon që një instruktim i zakonshëm i haxhilerëve, që është detyrim ligjor, etik dhe organizativ, të prezantohet si “aktivitet institucional”? Pse nuk i thërrasim gjërat me emrin e vet? Përgatitja e haxhilerëve është pjesë e planit minimal logjistik dhe pedagogjik, jo ndonjë epokë organizative që meriton promovim propagandistik. Por, në BFI, gjithçka që ka të bëjë me Haxhin, është kthyer në instrument marketingu për të “rritur” hijen e njerëzve të papërgatitur që sillen sikur janë arkitektët e shenjtërisë.

Pse prezenca e një delegacioni të BFI-së në Arafat qenka kontribut për organizimin sa më të mirë të Haxhit? Kjo është një deklaratë aq absurde sa që do të duhej të përdorej si shembull në tekstet shkollore të propagandës së dështuar. Si mund të thuhet që: “Kryesia Qendrore e Haxhit 2025 pranë Bashkësisë Fetare Islame të RMV – së, dërgoi në Kodrinën e Arafatit, përgjegjësit të cilët përkujdesen për sistemimin e Haxhinjëve për të kryer njërin nga kushtet e Haxhit – Arafatin.

Ekipi monitoroi tendat, përgatiti sinjalistikën dhe ndarjen e Haxhinjëve gjatë qëndrimit të Haxhinjëve në Ditën e Arafatit.”? Të flasësh kështu është një fyerje për mendjen e kujtdo që e njeh sistemin milimetrik të organizimit të Haxhit nga autoritetet saudite. Aty, çdo centimetër vend është i ndarë dhe planifikuar nga një mekanizëm shtetëror kolosal, me muaj parapërgatitje. Aty nuk ka vend për “eksperimentet” dhe as për “ekspertët” e BFI-së.

“Përfunduan me sukses seminaret trajnuese të muftinive me haxhinjtë respektivë në lidhje me qëndrimin në Arafat-Muzdelife-Mina”

Kur dëgjon që është mbajtur “seminar me haxhilerët e Maqedonisë së Veriut në Arabinë Saudite”, nuk mund të mos qeshësh me ironi. Seminari mbahet para nisjes, me personelin teknik, me udhëheqësit e grupeve, me mjekët, me administratorët dhe koordinatorët, që të dihet kush çfarë përgjegjësie ka, dhe jo në shkretëtirë kur gjithçka është në kaos dhe njerëzit janë nën lodhje fizike dhe mendore. Ky lloj “seminari” nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të fotografuar një aktivitet për kronika bajate dhe për të krijuar përshtypjen e një “institucioni të gjallë”.

“Madhërimi” i përgjegjësve – një strategji për ta fshehur dështimin

Ajo që është edhe më shqetësuese është se pas gjithë kësaj shfaqjeje të turpshme qëndron një strategji propagandistike naive: ta madhërojmë përgjegjësin për Haxhin, t’i japim aureolën e “udhëheqësit të fuqishëm e të mençur”, që gjoja po menaxhon me sukses një nga ngjarjet më komplekse në botë. Por, në të vërtetë, kjo është përpjekje për të fshehur paaftësinë, improvizimin, mungesën e vizionit dhe dështimin në ndërtimin e një strukture moderne për menaxhimin e Haxhit.

Dikur Sulejman Rexhepi përpiqej të krijonte “figura të fuqishme” rreth vetes, siç ishte rasti i Shaqir Fetait, i cili përfundoi si një thikë e mprehtë prapa shpinës së vetë Sulejman Rexhepit. Historia përsëritet, sepse mendjet që qëndrojnë në krye janë të ngujuara në mesjetë: ata nuk mësojnë as nga gabimet e veta.

Koha për t’i ndalur këto marifete mediokre

BFI nuk ka të drejtë të poshtërojë publikun me këto marifete qesharake. Haxhi është obligim fetar dhe përkushtim serioz, jo teatër për mbledhje poenësh politikë apo për të legjitimuar figura që përndryshe nuk do të kishin as minimumin e kredibilitetit për të udhëhequr. Kjo nuk është as strategji komunikimi e as përpjekje për transparencë – është vetëm një maskaradë banale që meriton përbuzje dhe refuzim publik.

Në vend të këtyre paraqitjeve mediatike boshe, le të raportojnë për standardet që kanë ngritur, për kushtet që kanë siguruar, për transparencën financiare, për trajnimin e stafit, për cilësinë e shërbimeve dhe për ndihmën që u japin haxhilerëve në momentet më të ndjeshme. Sepse të gjitha këto mungojnë. Dhe kjo mungesë po maskohet me foto, lajme të zbukuruara dhe fjalime pa kuptim. Por askush nuk është aq budalla sa mendojnë ata. Këto “aktivitete” qesharake assesi nuk mund ta justifikojne çmimin stratosferik të Haxhit, te cilin e ka vënë Shaqir Fetai, si mundësi reale për të vjedhur dhe për ta shtuar “buxhetin familjar”, sepse duhet të ndërtojmë shtëpi dhe “oborre parajsore”!

Koha për përqeshje ka kaluar. Tani është koha për llogaridhënie. Dhe ajo ditë nuk është larg. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *