Ligjvënësit amerikanë kundër planeve të Trump për Grenlandën

Para protestave të planifikuara në Danimarkë dhe Grenlandë, një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë riafirmoi sot në një konferencë për shtyp në Kopenhagë kundërshtimin e tyre ndaj dëshirës së presidentit amerikan Donald Trump për të kontrolluar ishullin arktik.

“Grenlanda është pjesë e Danimarkës. Danimarka është aleatja jonë në NATO”, tha senatori demokrat Chris Coons.

“Në mendimin tim, kjo duhet të mbyllë këtë diskutim”, shtoi ai.

Presidenti Trump ka argumentuar herë pas here se kontrolli amerikan i Grenlandës është i nevojshëm për të parandaluar zgjerimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Grenlanda, një territor kryesisht autonom arktik, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Ai së fundmi ka kërcënuar vendet që kundërshtojnë planet e tij me tarifa ndëshkuese.

Coons e përshkroi deklaratën e Trump si “jokonstruktive,” duke paralajmëruar se trajtimi aktual ndaj Danimarkës mund të shkaktojë dëme të qëndrueshme në marrëdhëniet bilaterale.

Senatori, që përfaqëson shtetin e Delaware, pyeti se si mund të besohet SHBA-ja nëse aleati i NATO-s, Danimarka, lihet në vështirësi?

Njëmbëdhjetë ligjvënësit, që udhëtuan drejt Danimarkës, thanë se planet e Trump do të hasin rezistencë edhe në SHBA, ndërsa vetëm dy prej tyre ishin nga Partia Republikane e Trump.

Disa vende evropiane të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, po dërgojnë ekipe të vogla ushtarake për të vlerësuar aftësinë e NATO-s për të mbrojtur rajonin Arktik si pjesë e një misioni vëzhgimi të udhëhequr nga Danimarka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *