Legalizimi i vjedhjes së vakëfit

Prej Hotelit “ISRA” të BFI-së, që duhej të ushqente vakëfin, sot ka mbetur vetëm hija e mashtrimit. Investitorët morën pallatet, por BFI-ja humbi vite të çmuara e miliona të pritshme. Çdo vonesë është një goditje ndaj amanetit. Dhe çdo ditë që kalon, e bën vjedhjen edhe më të qartë. Shtyrja e ndërtimit të hotelit u shpërblye me banesa gratis për funksionarë fetarë e politikë

Nga Jasir Jashari

Ajo që po ndodhë me pronën vakëf në lagjen e Seravës në Çair është shembulli më flagrant i lojës së ulët që po luhet mbi pasurinë e Bashkësisë Fetare Islame. Lojë e heshtur, e turpshme, ku interesat private dhe llogaritë e pista po fshihen pas premtimeve boshe, marrëveshjeve të shkelura dhe një mashtrimi gjashtëvjeçar që vazhdon ende sot.
Dikur, kjo zonë ishte një depo e ndotur e Ndërmarrjes Komunale të Higjienës – tokë e uzurpuar e vakëfit, e degraduar, e përdhosur. Me denacionalizimin, vakëfit iu rikthye ajo që ishte e veta. U desh puna këmbëngulëse e ish reisit, H. Sulejman ef. Rexhepit si dhe e ish-sekretarit gjeneral, Afrim ef. Tahirit, dhe ndihma e çmuar e ish-drejtorit të Higjienës Komunale, Rakip Doçi, që kjo pronë t’i rikthehej Myftinisë së Shkupit.
Dhe çfarë ndodhi më pas?
Filluan premtimet. Premtime për zhvillim, për investime, për ringritjen e vakëfit. U nënshkrua kontrata me investitorin: hoteli “Isra”, një hotel pesëyje, pronë e vakëfit, do të ndërtohej i pari. Vetëm pasi BFI-ja t’i merrte çelësat e këtij hoteli, me një hapësirë prej 5.350 m² investitori GEMAK & RAJANA INXHINIERING do të fitonte të drejtën të ndërtonte kompleksin e madh të pallateve.
Ky ishte kushti themelor. Kjo ishte garancia. Ky ishte premtimi.
Dhe gjithçka u shoqërua me ceremoni, kamera, fjalime, fotografi dhe politikanë të buzëqeshur. Më 2 tetor 2019, në sy të mediave dhe zyrtarëve fetarë e politikë, u hodh guri themeltar i hotelit.
Në vënien e gurit themeltar morën pjesë kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, kryetari i Kuvendit të BFI-së, Fadil ef. Ramadani, myftiu i Shkupit, Qenan ef. Ismaili, ai i Tetovës, Qani ef. Nesimi dhe i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu, dekani i FSHI prof. dr. Shaban ef. Sulejmani, drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Ibrahim ef. Idrizi; pastaj: Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i Komunës së Çairit Visar Ganiu, i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti etj. U përmendën investime marramendëse, të ardhura për Medresenë “Isa Beu”, për Myftininë e Shkupit, për Rijasetin e BFI-së. Guri themeltar u ngrit me duartrokitje; sot, pas gjashtë viteve, ai guri është i vetmi “ndërtim” i përfunduar.
Kompleksi i pallateve? I përfunduar. Banorët kanë hyrë. Fitimet private janë siguruar.
Po hoteli vakëf?
I zhdukur. I vonuar. I harruar me qëllim.
Vetëm tani, pas më shumë se gjashtë vitesh mashtrimi, fillojnë disa punime të dyshimta, që me shumë gjasë do të zvarriten edhe për vite, vetëm sa për të thënë se “diçka po bëhet”. Shaqir Fetai doli me këtë informatë: “Sot, më 14 nëntor 2025, Reisul Ulema i BFI-së së RMV-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, së bashku me Myftiun e Shkupit, të shoqëruar nga Dr. Islam Islami, drejtor i Medresesë “Isa Beu”, drejtuesit e sektoreve të Rijasetit dhe përfaqësues të tjerë, përcollën nga afër fillimin e punimeve të ndërtimit të Hotelit të ri “Isra” në Shkup.” Pra, paska nisë “hotel të ri” me kompani te re ndërtimi, pasi e paska kryer “hotelin e vjetër” te ndërtuar nga kompania “Rajana Inxhiniering”! Ndërkohë, as hotel i vjetër dhe as i ri, vetëm shpëlarje parashë dhe miliona euro të ardhura të premtuara për institucionet fetare janë humbur përgjithmonë.
Kush do të japë llogari për këtë? Kush do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e kontratës? Kush do ta kompensojë vakëfin për humbjen katastrofale të të ardhurave mujore që ky hotel do të siguronte? Kush do t’i kthejë vite të tëra të qirave të pambledhura, të ardhura të humbura, projekte të bllokuara?
Pyetjet janë të thjeshta, por përgjigjet i shmangin të gjithë. Sepse kjo lojë është e organizuar. Nuk ka asnjë dyshim: investitori ka marrë atë që donte, pallatet dhe përfitimet. Vakëfi ka mbetur me duar bosh. Dhe dikush, dikund, ka lejuar apo ka mbyllur sytë ndaj kësaj lëvizjeje kriminale. Flitet se për këtë “koncesion” ndaj firmës ndërtuese, funksionarë të BFI-së, por edhe “funksionarë politik” (!!!) kanë përfituar hyrje të veçanta në këtë kompleks pallatesh, si gratis ashtu edhe me çmime simbolike.
Sot, kur më në fund bëhen punime qesharake për hotelin që duhej të ishte gati që moti, nuk është koha për falënderime, as për pritje, as për durim. Është koha për llogaridhënie.
Sepse vakëfi nuk është pronë private. Vakëfi është amanet.
Dhe amaneti është shkelur rëndë. Kjo dëshmohet edhe nga fotografitë që dokumentojnë, mbi të gjitha, legalizimin e vjedhjes së vakëfit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *