Si ka mundësi që drejtësia, themeli i një shteti të së drejtës, sot të përmendet në fjalorin e njerëzve si mall që blihet e shitet në treg? Si guxon një individ, qoftë edhe në krye të një institucioni fetar, të mburret publikisht se ka gjykatës në krah të vet, se ata do t’ia fitojnë proceset gjyqësore, sikur të ishin avokatët e tij personalë
Nga Valbon Osmani, jurist
Çfarë fyerjeje më të madhe mund t’i bëhet integritetit të gjykatësve, atyre që me vite punojnë në kushte të vështira për të mbajtur gjallë shpresën për drejtësi? Si është e mundur që institucionet shtetërore heshtin përballë kësaj retorike skandaloze, duke i lënë qytetarët të mendojnë se drejtësia është vërtet një pronë private, një kartë që u shërben të fortëve për të fituar betejat e tyre personale?
Drejtësia është në krizë të thellë besimi. Vetë kryeministri i vendit, z. Mickovski, këto ditë deklaroi se, nuk e meritojnë rritjen e rrogave, sepse vetëm 2% e qytetarëve u besojnë gjykatësve dhe prokurorëve. Por në vend që ky sistem të mbrohet dhe të pastrohet nga politizimi, nga korrupsioni dhe nga abuzimet, ai po njolloset edhe më shumë nga deklarata të papërgjegjshme si ato të Shaqir Fetait.
Shaqir Fetai, duke u lavdëruar se gjykatësit e Gostivarit janë në anën e tij, jo vetëm që komprometon veten, por në të njëjtën kohë tenton të komprometojë një grup të madh gjykatësish me integritet. Ky është një krim moral ndaj shoqërisë, një fyerje ndaj gjithë sistemit të drejtësisë, dhe një goditje e rëndë ndaj atyre që punojnë me nder e profesionalizëm.
Politizimi i drejtësisë rrënja e krizës së besimit
Deklarata e kryeministrit Kristian Mickovski, se gjykatësit dhe prokurorët nuk e meritojnë rritjen e pagave përderisa besueshmëria e tyre në rang shteti është vetëm 2%, tingëllon e ashpër, por është tregues i një realiteti të hidhur. Qoftë e saktë ose e ekzagjeruar, kjo shifër pasqyron perceptimin e gjerë shoqëror: sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut prej dekadash shihet si i politizuar, i kapur nga partitë dhe i komprometuar nga korrupsioni. Politizimi ka shkuar aq thellë sa funksionarë partiakë lavdërohen hapur se kanë “gjykatësit e vet” për të manipuluar vendimet gjyqësore, duke e kthyer drejtësinë në një pronë private të pushtetit të radhës. Ky mentalitet e ka çuar vendin në këtë derexhe, duke e shndërruar çdo proces gjyqësor në dyshim dhe çdo gjykatës në shënjestër të mosbesimit publik.
Shaqir Fetai me retorikë të rrezikshme që njollos gjykatësit
Në këtë atmosferë të deformuar, dalin edhe figura periferike që e thellojnë krizën e besimit. Një prej tyre është Shaqir Fetai, i cili, në vend që të merret me përgjegjësitë e tij fetare e morale në krye të Bashkësisë Fetare Islame, ka zgjedhur një narrativë të rrezikshme: të lavdërohet se gjykatësit i shërbejnë atij, se janë në anën e tij dhe se do t’ia fitojnë të gjitha proceset gjyqësore. Këtë e përforcon me shembullin e fundit: po të mos ishin gjykatësit e Gostivarit që më premtuan se do të më ndihmojnë, edhe më tej Tetova në krye do ta kishte myftiun Qani Nesimi! Ai madje përmend edhe gjykatës nga Gostivari, duke i përfshirë në këtë lojë të turpshme si “mbështetës të tij”. Ky nuk është vetëm një diskurs i papërgjegjshëm personal, por një fyerje brutale ndaj integritetit të atyre gjykatësve që kanë ndërtuar karrierën mbi profesionalizëm dhe ndershmëri. Shaqir Fetai, me këto deklarata, nuk e kupton se nuk po forcon pozitën e tij, por po njollos një numër të madh gjykatësish, duke i përzier padrejtësisht në ambiciet e tij personale.
Një krim moral kundër drejtësisë
Kur dikush deklaron publikisht se ka gjykatës në anën e vet, ai jo vetëm që komprometon drejtësinë, por kryen një krim moral ndaj shoqërisë. Përmes këtyre fjalëve, Shaqir Fetai përpiqet ta paraqesë drejtësinë si një shërbëtore të interesave të tij, si një vegël për të arritur pushtet dhe kontroll. Takimet e tij të shpeshta nëpër restorante e ndeja, të financuara nga buxheti i institucioneve fetare, i shfrytëzon për të krijuar përshtypjen e një ndikimi të rremë mbi gjykatat. Por kjo është fyese jo vetëm për gjykatësit e Gostivarit, të cilët me vite kanë dëshmuar integritet, por për gjithë sistemin gjyqësor. Kjo retorikë është aq helmuese sa rrezikon të përhapë dyshime edhe mbi ata gjykatës që punojnë me ndershmëri, duke i futur të gjithë në një thes të errët.
Heshtja është bashkëfajësi
Në këtë situatë, nuk mjafton vetëm zemërimi i opinionit publik. Këtu duhen veprime konkrete. Organet shtetërore kompetente duhet të reagojnë, të mbrojnë dinjitetin e gjykatësve dhe të ndalojnë abuzimin me emrin e drejtësisë. Po ashtu, edhe vetë Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame nuk mund të qëndrojë i heshtur; nëse dëshiron të ruajë autoritetin dhe respektin, duhet të distancohet nga retorika e Shaqir Fetait dhe të tregojë se nuk është peng i tij. Por mbi të gjitha, edhe gjykatësit e ndershëm nuk mund të rrinë në heshtje. Ata duhet të flasin, të mbrojnë integritetin e tyre, të kërkojnë që emrat e tyre të mos përdoren si dekor në lojën e një individi që përfiton nga errësira. Heshtja në këtë rast nuk është as neutralitet dhe as maturi; është bashkëfajësi.
Drejtësia është e popullit, jo e individëve
Sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka probleme të mëdha strukturore, që nisin nga politizimi e deri tek korrupsioni i hapur. Por njëkohësisht ka edhe gjykatës e prokurorë të ndershëm, që përpiqen të mbajnë gjallë shpresën për një shtet ligjor. Pikërisht për ta duhet ngritur zëri. Ata nuk mund të mbulohen nga llumi i retorikës së turpshme të Shaqir Fetait. Prandaj është koha që t’i thuhet hapur: mos e përdor drejtësinë si dekor për pushtetin tënd, mos e njollos integritetin e gjykatësve, mos luaj me dinjitetin e profesionistëve që punojnë për ligjin dhe shpresën e qytetarëve. Drejtësia është dhe duhet të mbetet e popullit dhe për popullin – jo një kartë për të blerë pushtet.