Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, duke përmendur dy arrestime. Ai në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, ka potencuar rastin e Bojan Jevtiqit dhe të Igor Popoviqit.
“Institucionet e inteligjencës dhe sigurisë po iu kundërvihen suksesshëm ndaj përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës, me dëshmi për aktivitete e tyre kundër Kosovës sikurse rastet e Bojan Jevtiq, toger në Policinë e Kosovës, i arrestuar më 17 korrik 2025 mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi për interesa të BIA-s, me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacioneve të Policisë së Kosovës në veçanti dhe Igor Popoviq, ndihmës drejtor në të ashtuquajturën zyra për Kosovë në Qeveri të Serbisë, i arrestuar me datë 18 korrik 2025 për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndër etnik”, ka thënë ai.
Si dëshmi për arrestimin e Popoviqit ka përmendur incizimet ilegale të bisedave të datës 17 shtator 2020, e zhvilluar në objektin e BE-së në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
“Është rast jashtëzakonisht serioz, që shpërfaq në një mënyrë që s’e kemi hasur më herët, qasjen sistematike, destruktive, minuese e sabotuese të Serbisë në raport me palët”, ka thënë Kurti.
Ai ka shprehur më tej edhe solidaritetin e tij për gjendjen në Gaza, duke specifikuar urinë dhe vdekjen që po përjetojnë fëmijët atje në mënyrë të pafajshme. Ai ka thënë se qeveria ka ndarë gjysmë milioni euro si mbështetje për popullin palestinez, teksa ka bërë thirrje për armëpushim.